Kremlini njoftoi sot se Presidenti rus Vladimir Putin “mori një ftesë” për të marrë pjesë në Këshillin e Paqes, një iniciativë nga homologu i tij amerikan Donald Trump, të cilin ai e vlerësoi se do të “hynte në histori” nëse do ta vendoste Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së.
“Presidenti Putin ka marrë një ftesë përmes kanaleve diplomatike për të marrë pjesë në përbërjen e Këshillit të Paqes”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për gazetarët.
Ai shtoi se Rusia “dëshiron të sqarojë të gjitha nuancat” e këtij propozimi. Në të njëjtën kohë, Kremlini vlerësoi se është e vështirë të mos pajtohesh me ekspertët që thonë se Trump do të hyjë në histori nëse e vendos Groenlandën nën kontrollin amerikan.
Megjithatë, Peskov theksoi se nuk po diskuton nëse ky veprim do të jetë i mirë apo i keq, duke vënë në dukje se thjesht po i referohet një ngjarjeje.
“Këtu, ndoshta, është e mundur të hiqet nga diskutimi nëse kjo është e mirë apo e keqe, nëse do të jetë në përputhje me parametrat e së drejtës ndërkombëtare. Ka ekspertë ndërkombëtarë që besojnë se duke zgjidhur çështjen e integrimit të Groenlandës, Trump me siguri do të hyjë në histori. Dhe jo vetëm në historinë e SHBA-së, por edhe në historinë botërore”, shtoi ai.
Për më tepër, kur iu kërkua të komentonte mbi deklaratat e presidentit amerikan se Rusia përbën një kërcënim për Groenlandën, zëdhënësi i Kremlinit u përgjigj se kohët e fundit ka pasur shumë “informacione shqetësuese” dhe shtoi se Moska nuk do të komentojë mbi planet e supozuara ruse për ishullin Arktik.
Javën e kaluar, Ministria e Jashtme ruse njoftoi se është e papranueshme që Perëndimi të vazhdojë të pretendojë se Moska dhe Kina kërcënojnë Groenlandën.
Lufta SHBA-BE për Groenlandën
Bashkimi Europian po përgatitet për një përplasje të fortë tregtare me Shtetet e Bashkuara, nëse presidenti amerikan Donald Trump nuk tërhiqet nga kërcënimi për vendosjen e tarifave të reja, të lidhura me çështjen e Groenlandës. Në prag të Forumit Ekonomik të Davosit, kryeqytetet europiane kanë sinjalizuar se më 6 shkurt mund të hyjnë automatikisht në fuqi kundërmasa ndaj Uashingtonit, me një vlerë totale prej 93 miliardë dollarësh.
Këto kundërtarifa janë përgatitur që në muajin gusht nga BE-ja, por u “ngrinë” për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje tregtare me Shtëpinë e Bardhë, e cila u arrit në fund të verës. Tani, sipas burimeve në Bruksel, pezullimi i tyre mund të mos zgjatet më. Mjafton që BE-ja të mos ndërmarrë asnjë veprim shtesë dhe tarifat do të rikthehen automatikisht.
Komisioni Europian dhe Këshilli e shohin qëndrimin e Trump si një përpjekje për të përçarë Unionin dhe për të minuar unitetin e NATO-s, duke sugjeruar trajtime të ndryshme për shtete të veçanta anëtare. Një skenar që, sipas Brukselit, është i vështirë edhe teknikisht, për shkak të tregut të përbashkët europian dhe origjinës së ndërthurur të mallrave.
Megjithatë, linja zyrtare mbetet ajo e çtensionimit. BE-ja synon të mbajë të hapur dialogun dhe të shmangë një krizë të plotë transatlantike. Por nëse deri më 1 shkurt nuk ka tërheqje nga Uashingtoni, partnerët europianë janë të gatshëm të reagojnë.
Përveç paketës prej 93 miliardë dollarësh, në tryezë janë edhe masa më të ashpra: pezullimi i marrëveshjes së gushtit që heq tarifat për mallrat amerikane dhe, si mjet ekstrem, aktivizimi i një instrumenti ligjor që do të kufizonte ndjeshëm aksesin e kompanive amerikane në tregun europian.
Çështja do të diskutohet në një Këshill Europian të jashtëzakonshëm, të thirrur nga presidenti i Këshillit, Antonio Costa, i cili ka theksuar nevojën për unitet, mbështetje për Danimarkën dhe Groenlandën, si dhe gatishmëri për t’u mbrojtur nga çdo formë presioni. Në lojë, paralajmëron Brukseli, nuk është vetëm tregtia, por vetë kohezioni i BE-së dhe i NATO-s.
Lini një Përgjigje