TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Qershor 2026, 10:15

Ndërroni kur*at, jo çarçafët!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Ndërroni kur*at, jo çarçafët!
Karikatura Pamfleti /

Nga Putin te Vuçiç e Rama, modeli i pushtetit të përjetshëm po troket edhe në Ballkan...

Po e referohem një historie të vjetër nga kulmi i krizës financiare greke.

Teksa qeveria e Athinës përpiqej të bindte kreditorët evropianë të lironin këstin e radhës të ndihmës financiare, në zyrën e Kryeministrit dikush pati një ide "gjeniale": të ndërroheshin tapetet dhe perdet e godinës, me shpresën se ambienti i ri do të përmirësonte atmosferën dhe, ndoshta, edhe fatin e negociatave.

Një sanitare e moshuar, që kishte parë shumë në jetën e saj, nuk e mbajti dot veten:

"Nuk e kuptoj këtë logjikë", tha ajo. "Edhe në bordellon ku kam punuar dikur, kur binte puna, pronari nuk ndërronte çarçafët... ndërronte kur*at."

Anekdota është brutale. Por politika në Ballkan po e tejkalon edhe humorin e zi.

Kur një qeveri e konsumon kapitalin politik, kur institucionet humbasin besimin, kur qytetarët lodhen nga të njëjtët emra dhe të njëjtat premtime, demokracia ofron një zgjidhje të thjeshtë: rotacionin.

Autokracia, përkundrazi, kërkon një zgjidhje tjetër: Ndryshon kushtetutën!

Ballkani ka qenë historikisht laborator i modeleve politike të importuara. Në vitet '90 importoi nacionalizmin ekstrem. Më pas importoi tranzicionet e pafundme. Sot rrezikon të importojë modelin e "demokracisë së kontrolluar", ku zgjedhjet mbahen rregullisht, opozita ekziston formalisht, por rotacioni real bëhet pothuajse i pamundur.

Ky është modeli që u konsolidua në Rusi dhe që sot shihet gjithnjë e më shpesh në hapësirën post-sovjetike. Nuk bëhet fjalë më për grusht shteti apo për rrëzim institucionesh. Formula është më elegante: ndryshohen rregullat e lojës, ndërsa lojtari mbetet i njëjtë.

Rasti më ilustrues është ai i Vladimir Putinit.

Në vitin 2008, pasi kishte konsumuar kufirin kushtetues të mandateve presidenciale, ai nuk u largua nga pushteti. U zhvendos në postin e kryeministrit, ndërsa presidencën e mori Dmitry Medvedev. Megjithëse formalisht Rusia kishte një president tjetër, pushteti real mbeti në Kremlin, në duart e Putinit. Katër vjet më vonë ai u rikthye president dhe, përmes ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020, "rivendosi në zero" numërimin e mandateve, duke krijuar mundësinë të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Ky model nuk është më një përjashtim rus. Ai po shfaqet si një formulë e eksportueshme për liderët që nuk duan të largohen nga pushteti.

Kështu, në Serbi, Aleksandar Vuçiç duket se po ndjek të njëjtën logjikë. Nëse presidenca nuk lejon më një mandat tjetër, atëherë ndryshohet roli. President sot, kryeministër nesër. Nëse nesër të pengon edhe ai post, gjithmonë mund të rishkruhet arkitektura institucionale.

Sepse problemi nuk është posti. Problemi është varësia nga pushteti.

E njëjta frymë ka filluar të qarkullojë edhe në Shqipëri. Papritur rikthehen diskutimet për republikë presidenciale, për parlament me dy dhoma, për rishikim të sistemit kushtetues, për reforma të mëdha institucionale.

Askush nuk shpjegon se cili problem i demokracisë shqiptare zgjidhet me këto ndryshime.

Sepse problemi i Shqipërisë nuk është se nuk ka institucione.

Problemi është se institucionet nuk funksionojnë.

Një dhomë e dytë në parlament nuk prodhon automatikisht më shumë demokraci. Një president me më shumë kompetenca nuk prodhon automatikisht më shumë shtet. Një kushtetutë e re nuk prodhon automatikisht më shumë drejtësi.

Nëse aktorët mbeten të njëjtët dhe kultura politike mbetet po ajo, ndryshon vetëm dekori.

Është si të ndërrosh bojën në një godinë ku themelet janë çarë.

Ose, për t'u kthyer te sanitarja greke...

...kur bie puna, nuk ka kuptim të ndërrosh çarçafët./Pamfleti

ndërroni kur*at jo çarçafët gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial