TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2026, 15:29

Nga dëmshpërblimi te kërcënimi për bazat amerikane, mesazhi i parë i Khameneit si lider suprem flet për një luftë të gjatë!

Shkruar nga Pamfleti
Nga dëmshpërblimi te kërcënimi për bazat amerikane,
Ajatollah Mojtaba Khamanei,

Ajatollah Mojtaba Khamanei, paralajmëroi SHBA-të dhe Izraelin se duhet të paguajnë “kompensim” për veprimet e tyre...

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei ka lëshuar sot deklaratën e parë që pas emërimit të tij në detyrën më të lartë të vendit. Mojtaba Khamenei nuk u shfaq në publik por mesazhi i tij u lexua nga televizioni shtetërorë.

Në mesazhin e tij, Mojtaba Khamenei, bëri thirrje për unitet midis popullit iranian dhe u dërgoi ngushëllime njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës, duke thënë se dëmet do të kompensohen.

"Kjo është diçka që e ndaj me njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre sepse unë humba babanë tim, humba gruan time. Motra ime humbi fëmijën e saj, si dhe burrin që u martirizua. Por ajo që na e bën më të lehtë të durojmë të gjitha këto vështirësi është të besojmë në hirin e Perëndisë dhe të dimë se durimi do ta zgjidhë atë. I siguroj të gjithë se nuk do ta injorojmë faktin se do të hakmerremi për martirët tanë. Nuk ka të bëjë vetëm me faktin se ata martirizuan udhëheqësin tonë suprem. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me të, ka të bëjë me çdo bashkatdhetar që është vrarë gjatë luftës së fundit", thuhej në deklaratën e Khameneit.

Më tej ai shtoi se ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe detare, do të mbetet e mbyllur si një "mjet presioni".

“Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur si një mjet presioni dhe bazat amerikane në rajon duhet të mbyllen, përndryshe do të sulmohen", tha Ajatollah Mojtaba Khamenei.

Mesazhi, i lexuar në televizionin shtetëror të Iranit nga një prezantues, përmbante gjithashtu një paralajmërim se të gjitha bazat amerikane në rajon duhet të mbyllen ose "do të sulmohen".

Khamenei, tha gjthashtu se Teherani beson në “miqësinë” me fqinjët e tij, duke theksuar se vendi i tij po synon vetëm bazat amerikane në këto vende. Megjithatë, ai paralajmëroi se Irani do të vazhdojë të shënjestrojë vendet fqinje që kanë baza amerikane në shenjë hakmarrjeje.

Ne kemi pasur marrëdhënie të mira me të gjitha këto 15 vende fqinje… ne shënjestruam vetëm këto baza ushtarake (dhe) do të vazhdojmë, do të duhet të vazhdojmë dhe ta bëjmë këtë. Këto vende duhet ta bëjnë të qartë detyrën e tyre ndaj pushtuesve të atdheut tonë të dashur dhe vrasësve të popullit tonë”, shtoi ai, duke thënë se rekomandon që ato të mbyllin bazat e tyre amerikane sa më shpejt të jetë e mundur.

Ajatollah Mojtaba Khamanei, paralajmëroi SHBA-të dhe Izraelin se duhet të paguajnë “kompensim” për veprimet e tyre. Udhëheqësi i ri suprem i Iranit nuk i përmendi dy vendet me emër, duke iu referuar vetëm si “armik”.

"Do të kërkojmë kompensim nga armiku. Nëse nuk mund të marrim kompensim nga armiku, do t'i shkatërrojmë pronat e tyre aq sa kanë shkatërruar ata tonat", tha udhëheqësi i ri suprem i Iranit në një fjalim, të lexuar nga një prezantues në televizionin shtetëror.

khamenei mesazhi irani

Lini një Përgjigje