Nga kryeministra dhe presidentë deri te ministra, bankierë e personalitete të njohura, Vovan dhe Lexus kanë ngritur një nga operacionet më famëkeqe të mashtrimit politik, duke ekspozuar dobësi serioze në protokollet e sigurisë së shumë shteteve.
Rasti i Thanos Dokos shkaktoi trazira politike në Athinë dhe hapi një debat mbi protokollet e sigurisë së qeverisë greke. Sekretari i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare besonte se po zhvillonte një videotelefonatë me një zyrtar të lartë ukrainas.
Në të vërtetë, përballë tij ishin komedianët rusë Vovan dhe Lexus, të cilët regjistruan bisedën dhe më pas e publikuan, duke shkaktuar trazira politike dhe duke ekspozuar këshilltarin kryesor të sigurisë kombëtare të qeverisë greke.
Dokos pësoi një goditje të rëndë ndaj besueshmërisë së tij dhe, sipas kritikëve, duhej të kishte dhënë dorëheqjen, nëse do të kishte pasur qoftë edhe pak dinjitet. Kjo sepse ai është këshilltari kryesor për sigurinë kombëtare i qeverisë greke.
Megjithatë, ai nuk është as i pari dhe, me shumë gjasa, as i fundit zyrtar i lartë që bie në kurthin e këtij dueti. Vovan (Vladimir Kuznetsov) dhe Lexus (Alexey Stolyarov) kanë qenë aktivë për më shumë se një dekadë, duke u shtirur si presidentë, kryeministra, ministra apo diplomatë të nivelit të lartë, me synimin për të nxjerrë deklarata nga politikanët dhe më pas për t'i përdorur ato për qëllime komunikimi dhe propagande. Veprimet e tyre kanë shkaktuar vazhdimisht shqetësim te shërbimet perëndimore të sigurisë, të cilat i konsiderojnë operacionet e tyre si pjesë të ndikimit dhe propagandës ruse. Nuk është rastësi që në vitin 2024 ata u nderuan nga Kremlini me medaljen “Urdhri i Miqësisë”.
Lista e viktimave të tyre është mbresëlënëse dhe përfshin dhjetëra figura të politikës ndërkombëtare. Ndër rastet e konfirmuara janë Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë, të cilën e telefonuan duke u paraqitur si një zyrtar i Bashkimit Afrikan dhe i morën deklarata për luftën në Ukrainë.
Ben Ëallace, ish-ministër britanik i Mbrojtjes, u mashtrua në vitin 2022, kur ata u paraqitën si kryeministri ukrainas Denys Shmyhal dhe diskutuan çështje të mbrojtjes dhe luftës.
David Cameron, ish-ministër i Jashtëm britanik, u bë objektivi i tyre në vitin 2024, kur e bindën se po fliste me një ish-zyrtar ukrainas. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, u mashtrua në vitin 2016, kur shakaxhinjtë u paraqitën si Petro Poroshenko dhe biseduan me të për Rusinë dhe situatën në Siri.
Elton John u mashtrua në vitin 2015, kur ata e bindën se po fliste me Vladimir Putinin për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në Rusi. Më vonë, vetë Putini e kontaktoi këngëtarin për ta siguruar se nuk kishte lidhje me mashtrimin.
As figurat e njohura nuk i shpëtuan këtij dueti. Ata iu afruan Princit Harry duke u paraqitur si aktivistja Greta Thunberg dhe babai i saj, ndërsa shkrimtarja J.K. Roëling u përfshi në një mashtrim ku ata u shtirën si zyrtarë ukrainas.
Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, u mashtrua në një bisedë ku ata u paraqitën si Volodymyr Zelenskyy. Edhe Vitali Klitschko, kryebashkiak i Kievit, ka qenë objekt i një mashtrimi të tyre.
Senatori amerikan Lindsey Graham u mashtrua kur ata u paraqitën si ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ndërsa viktima të tjera kanë qenë edhe një numër deputetësh amerikanë dhe zyrtarësh evropianë.
Në rastin grek, çështja nuk është vetëm se Thanos Dokos u mashtrua. Problemi më serioz është fakti se një person me qasje në qendrën e sigurisë kombëtare mori pjesë në një bisedë pa u kryer më parë verifikimi i nevojshëm i identitetit të bashkëbiseduesit.
Pra një dështim i plotë. Personat që e kontaktuan thjesht i dërguan një adresë në Gmail.
Biseda e Thanos Dokos me komedianët rusë u bë publike pas një raportimi të Banking Neës më 2 korrik me titull: “E pabesueshme: Komedianët rusë turpëruan këshilltarin e Mitsotakis, Thanos Dokos: “Do t'i humbasim zgjedhjet për shkak të dronëve ukrainas!”.
Sipas raportimit, këshilltari për sigurinë kombëtare i kryeministrit Kyriakos Mitsotakis jo vetëm që zbuloi se zgjedhjet do të zhvilloheshin brenda disa muajsh, por gjithashtu paralajmëroi për ndërprerjen e mbështetjes greke ndaj Ukrainës gjatë një bisede me shakaxhinjtë rusë, të cilët u paraqitën si homologu i tij ukrainas, Rustem Umerov.
Dokos i cilësoi dronët ukrainas që mund të kërcënonin brigjet greke si një problem politik për partinë Demokracia e Re përpara zgjedhjeve kombëtare, të cilat, sipas tij, do të zhvilloheshin “brenda disa muajsh”.
Ai deklaroi: “Incidenti që përmenda më herët do të krijojë probleme shumë serioze për qeverinë greke. Reagimi ynë, nëse ndodh një incident i tillë, do të jetë shumë i vështirë”- pa e kuptuar se personi në anën tjetër të telefonit ishin komedianët rusë.
Ai më tej tha: “Ministri ukrainas i Mbrojtjes duhet të vendosë nëse shkaktimi i dëmit ndaj një anijeje ruse ia vlen humbjen e mbështetjes së Greqisë…”. Sipas raportimit, Vovan dhe Lexus arritën të mashtronin një zyrtar të lartë grek duke u paraqitur si sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
Gjatë bisedës, Dokos tha: “Tani është sezoni turistik dhe trafiku detar është rritur. Është e rëndësishme, natyrisht, të kuptojmë nevojat e luftës nga ana juaj. Le të bëjmë çdo përpjekje për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla”.
Ai theksoi se një incident i ri me dronë ukrainas në ujërat greke mund të dëmtonte marrëdhëniet mes dy vendeve dhe madje të çonte në fundin e mbështetjes greke për Ukrainën. Dokos zbuloi gjithashtu se zgjedhjet në Greqi do të zhvilloheshin pas disa muajsh.
Ai tha se çdo incident që prek sigurinë detare dhe turizmin do të shkaktonte probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas tij, Athina e kupton domosdoshmërinë e luftës, por nuk dëshiron që konflikti të transferohet në territorin grek.
“Mendoj se kjo mund të shkaktojë një krizë shumë serioze dhe të panevojshme mes vendeve tona”- përfundoi ai. Thanos Dokos kishte shkaktuar polemika edhe më parë, në vitin 2020, pas deklaratave të tij për një mundësi bashkëshfrytëzimi të burimeve në Detin Egje me Turqinë.
Atëherë ai vendosi dorëheqjen e tij në dispozicion të kryeministrit dhe sqaroi se bëhej fjalë për një mendim personal. “Dorëheqja ime është gjithmonë në dispozicion të kryeministrit. Gabimi im ishte se hapa një çështje të parakohshme dhe krejtësisht hipotetike”- deklaroi ai.
Dokos shpjegoi se bashkëshfrytëzimi me Turqinë do të mund të diskutohej vetëm nëse do të zbuloheshin rezerva të rëndësishme energjetike, nëse ato do të shtriheshin në zonat detare të të dy vendeve, nëse do të kishte marrëveshje për kufijtë detarë dhe nëse një marrëveshje e tillë do të ishte në interes të Greqisë.
Ai theksoi se deklaratat e tij nuk përfaqësonin qëndrimin e kryeministrit apo të qeverisë dhe se kishte gabuar duke përdorur një skenar ekstrem dhe hipotetik për të shpjeguar një mundësi teorike./Pamfleti
Lini një Përgjigje