
40 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Brazilin e Jugut, pas disa ditëve me shira të dendur.
68 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, thanë autoritetet e mbrojtjes civile.
Më shumë se 24 mijë njerëz u zhvendosën nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve, të cilat goditën më shumë se 265 komuna në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul.
Më shumë se 8 mijë njerëz po qëndrojnë në strehimore emergjente.
Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva e përshkroi fatkeqësinë si një nga përmbytjet më të këqija në historinë e vendit.
Zyrtarët thanë se më shumë se dy mijë punëtorë civilë shpëtimi ishin vendosur dhe Ministria e Mbrojtjes tha se më shumë se 900 ushtarë u dërguan gjithashtu së bashku me nëntë avionë ushtarakë dhe 98 varka për të ndihmuar në përpjekjen e shpëtimit.
Deri më tani, më shumë se tetë mijë njerëz janë shpëtuar.
Shiu filloi të hënën dhe shkaktoi përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje toke në disa zona.
Shumë banesa dhe ura u dëmtuan, ndërsa disa rrugë u bënë të pakalueshme.
Lini një Përgjigje