TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia11 Korrik 2026, 13:12

Izraelit Ron Yeffet i Ramës; si serbo-boshnjaku Damir Fazlliç i Berishës: mafiozët ndërkombëtarë me ndikim në qeverinë e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti

Izraelit Ron Yeffet i Ramës; si serbo-boshnjaku Damir Fazlliç i

Sali Berisha solli serbo-boshnjakun Fazlliç në 2005, i dha vila qeveritare dhe e bëri pjesë të Këshillit të Sigurisë; me të pastroi 132 milionë euro në Qipro së bashku me Argita Berishën e Jamarbër Malltezin. Edi Rama solli izraelitin Ron Yeffet në 2018, i dha monopolin e armëve, municioneve e dronëve dhe vilën nr. 31 të Enver Hoxhës, ndërsa Yeffet është në gjyq në SHBA për mashtrim financiar...

Dy sundimtarët e regjimit, Sali Berisha dhe Edi Rama, kanë sjellë në Shqipëri mafiozë ndërkombëtarë, me të cilët kanë krijuar lidhje familjare dhe u kanë dhënë pasuri e fonde publike; u kanë krijuar terren biznesesh e monopole në sektorë strategjikë, jashtë kontrollit të shtetit.

Damir Fazlliç, "lavatriçja" e miliardave e familjes "Berisha"

Në prill 2005, tre muaj para se Sali Berisha të rikthehej në pushtet, në Shqipëri erdhi mafiozi ndërkombëtar serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i shfaqur hapur në krah të Sali Berishës dhe i prezantuar si "kryekëshilltar" i fushatës elektorale të PD-së.

Ndërsa 6 muaj pasi Sali Berisha filloi detyrën si kryeministër, Damir Fazlliç hapi kompanitë e para në Shqipëri, me objekt aktiviteti në energji, puse nafte e gazi, import karburante, shit-blerje tokash shtetërore, import-eksporte mallrash, agjenci konsulencash për bizneset, përfshirje në investimet e rrugëve, furnizim me armë e municione për forcat e armatosura.

Fillimisht, Damir Fazlliç krijoi kompanitë "Rudnap", "Blancers Petroleum", "Rompetrol" e "Petrol Slovenia Tirana", të gjitha pa kapital financiar për aktivitetet në vazhdim, pa deklarime bilancesh tatimore e pa transaksione bankare.

Në këto kompani kontrabande dhe "lavatriçe" miliardash të korrupsionit gjatë pushtetit "Berisha" e të trafiqeve, u përfshinë Argita Berisha dhe bashkëshorti Jamarbër Malltezi, gjoja si partnerë për konsulenca juridike e mjedisore, por ata ishin ortakë në hije me Damir Fazlliç.

Këtë e vërtetoi dosja penale "Parku Porto Romano 2009" në Durrës, ku rezultoi se kryeministri Sali Berisha, në favor të mafiozit serbo-boshnjak Damir Fazlliç e rrjedhimisht të vajzës dhe dhëndrit për të nxjerrë miliona euro fitime, vendosi të zgjerojë parkun ekzistues energjetik me 810 ha, nga 51 ha që ishte projekti i miratuar në vitin 2001.

Në dosjen penale Nr. 3258, të përgatitur nga prokurori Genti Xholi, është faktuar pastrimi i 132 milionë euro korrupsion në Shqipëri e Qipro, i bërë nga Damir Fazlliç gjatë pushtetit "Berisha", së bashku me Argita Berishën e Jamarbër Malltezin.

Këtë e fakton Kërkesa Nr. 212/32 Prot., datë 23.12.2008, drejtuar Gjykatës së Lartë të Qipros, me objekt të dhëna për aktivitetin ndërkombëtar të pastrimit të parave të krimit nga Damir Fazlliç, Argita Berisha e bashkëshorti Malltezi, të maskuara pas ortakes Flutura Kola.

Pastrimin e parave e kanë kryer nëpërmjet kompanive "Altaria Research Limited", "Avomar Limited", "Amerito Limited", "Poligraf Invests Limited", "Iron Gold Services", "Pluto INC Co LTD" e "Kelena LTD" me bazë në Qipro dhe me filiale fiktive në Shqipëri, të gjitha nën kontrollin e Damir Fazlliç dhe familjes "Berisha", të përmendura në dosjen "Non grata" nga Anglia.

Aq lidhje të ngushta e të shumëfishta interesash krijoi Sali Berisha dhe familja e tij me mafiozin serbo-boshnjak Damir Fazlliç, sa e bëri pjesë të mbledhjeve të qeverisë dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa si rezidencë personale i dha Vilën nr. 30 të ish-kryeministrit Mehmet Shehu.

Ron Yeffet, mafiozi i besuar i Edi Ramës; ka marrë monopolin e armëve

Kryeministri Edi Rama, në vitin 2018, solli në Shqipëri mafiozin izraelit Ron Yeffet, të cilit i ka krijuar zona të lira biznesi e pastrimi parash, nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara e të marra në ortakëri dhe monopoleve në sektorë të sigurisë kombëtare.

Izraeliti i Edi Ramës ka krijuar kompanitë "Uno-18", "Timak Defence", "Timak Aviation", "Timac-Turke", "Advanced Arms Technology", "1820 Albania", "1820 Black Oil" etj.

Këto veprojnë në sektorin e nxjerrjes dhe import-eksportit të naftës, armëve, municioneve, mjeteve ushtarake, parasë elektronike dhe ndërtimeve, ndërsa një nga monopolet është ai i armëve, municioneve, dronëve e mjeteve luftarake në ortakëri me kompaninë shtetërore "Kayo".

Ron Yeffet është objekt i një padie gjyqësore në SHBA për mashtrim financiar, duke përdorur lidhjet me kryeministrin Edi Rama, emri i të cilit është përmendur për favora ekonomike me pasuritë publike, licencat dhe aktivitetet e biznesit në Shqipëri.

Aq lidhje të ngushta interesash të pista ka Edi Rama me mafiozin Ron Yeffet, sa e merr në delegacionet e qeverisë dhe sajojnë vendime e ligje klienteliste; ndërsa për qëndrim në Tiranë, i ka vënë në dispozicion Vilën nr. 31 të ish-diktatorit Enver Hoxha në qendër të Bllokut./Pamfleti

 

ron yeffet damir fazlliç

1 Komente

  1. D
    DAJ JAKU

    E mjera Shqipëri që bëri “Demokraci me të “majtë” e me të “djathtë” të zgjedhur nga gjiri i partisë punës të enver hoxhës. Madje edhe sot këlyshët e tyre vazhdojnë të qeverisin si baba llarët e tyre. O moj Shqipëri e mjera Shqipëri, kush të ka qit me krye në hi, ti ke qenë nji zonjë rëndë, burrat e dheut të thërritëshin NANË… Këta të fundit të kanë qit me kryet në MUT.

    Lini një Përgjigje