
Policia spanjolle ka sekuestruar 900 kg kokainë në një nëndetëse 280 milje në perëndim të lokalitetit Kadiz. Sipas policisë, janë vënë në pranga 4 anëtarët e ekuipazhit, të gjithë shtetas kolumbianë.
Ata u hodhën në mes të detit pasi konstatuan afrimin e varkave të oficerëve, fundosën nëndetësen që po transportonte drogën, e cila u konfiskua kur pakot e saj dolën në sipërfaqe.
Operacioni për lokalizimin e nëndetëses kishte filluar rreth një muaj më parë, kur Administrata amerikane e Antidrogës, DEA, kishte paralajmëruar për trafikimin e një ngarkese të madhe droge nga Amerika Latine.
Pas rritjes së vigjilencës, nëndetësja 20 metra e gjatë dhe gjysmë e zhytur u lokalizua rreth 280 milje në perëndim të lokalitetit Kadiz. Ekuipazhi i mjetit, kur konstatoi ardhjen e patrullave detare hapi hyrjet e poshtme të saj duke e fundosur bashkë me ngarkesën.
Për më shumë se 6 orë dhe në kushte të vështira meteorologjike, patrullat ndoqën dhe kontrolluan nëndetësen dhe një varkë që e shoqëronte. Nëndetësja dhe lënda narkotike janë vendosur në dispozicion të hetuesve të Prokurorisë spanjolle të Antidrogës, të cilët do të vazhdojnë hetimet.
Lini një Përgjigje