
Polonia ka mbyllur kufijtë e saj përpara stërvitjeve ushtarake “Zapad-2025” që do të zhvillohen në Bjellorusi, në një kohë kur tensionet mes Minskut dhe Varshavës po rriten ndjeshëm.
Stërvitjet ushtarake “Zapad-2025”, që do të mbahen në perëndim të Rusisë dhe Bjellorusisë, kanë ngjallur shqetësime për sigurinë në vendet fqinje anëtare të NATO-s, si Polonia, Lituania dhe Letonia.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se kjo masë ka hyrë menjëherë në fuqi, pasi ky do të jetë një operacion shumë agresiv ushtarak.
“Të premten fillojnë stërvitjet ruso-bjelloruse në Bjellorusi, shumë pranë kufijve polakë, një operacion shumë agresiv nga pikëpamja e doktrinës ushtarake. Prandaj, për arsye sigurie kombëtare, do të mbyllim kufirin me Bjellorusinë, duke përfshirë edhe kalimet hekurudhore, lidhur me stërvitjet Zapad, nga mesnata e së enjtes”, tha Tusk gjatë një mbledhjeje qeveritare.
Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Bjellorusisë janë tensionuar ndjeshëm, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ku Rusia është aleati kryesor i Minskut.
Të enjten, mediat bjelloruse raportuan se një shtetas polak është arrestuar në Bjellorusi, nën dyshimin për spiunazh, pasi u gjetën dokumente lidhur me stërvitjet Zapad në pronësinë e tij.
Stërvitjet Zapad 2025 përfshijnë, ndër të tjera, ushtrime gatishmërie për përdorimin e armëve bërthamore dhe raketave supersonike ruse të tipit Oreshnik, sipas ministrit të Mbrojtjes së Bjellorusisë.
Në të njëjtën kohë, NATO do të organizojë stërvitje pranë kufijve të saj.
Po ashtu, rojet kufitare të Lituanisë kanë njoftuar se do të forcojnë mbrojtjen e kufijve me Bjellorusinë dhe Rusinë për shkak të këtyre stërvitjeve.
Ambasadat e Bjellorusisë dhe Rusisë në Varshavë nuk kanë kthyer ende përgjigje për kërkesat për koment.
Lini një Përgjigje