TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Maj 2025, 22:31

Pse termi “TACO” po ‘tërbon’ Donald Trump?

Shkruar nga Pamfleti

Pse termi “TACO” po ‘tërbon’ Donald Trump?

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me nervozizëm ndaj një pyetjeje që përmendi një akronim ironik të krijuar në rrethet financiare: "TACO" – shkurtim për Trump Always Chickens Out (“Trump gjithmonë tërhiqet nga frika”). Ky term është krijuar nga opinionisti i Financial Times, Robert Armstrong, dhe është bërë gjithnjë e më popullor në Wall Street për të përshkruar lëvizjet e tregjeve pas deklaratave të Trump për rritje të tarifave, që më pas anulohen ose shtyhen.

“Nuk ka asnjë tërheqje,” u përgjigj Trump, duke e quajtur pyetjen “një nga më të ligat që mund të imagjinohen”. Ai pretendoi se bëhet fjalë për një taktikë negociuese: “Vendos një numër të lartë, të ekzagjeruar, dhe më pas zbret pak nga pak – kjo është mënyra si funksionon.”

Trump u përpoq të justifikonte politikën e tij tarifore agresive ndaj Kinës dhe Bashkimit Evropian. “Kam vendosur tarifa 145% ndaj Kinës, më pas i zbrita në 100%, dhe më tej në një tjetër nivel. U thashë: duhet të hapni të gjithë vendin tuaj.” Po ashtu, ai tha se vetëm pas tarifave të larta ndaj BE-së, Brukseli pranoi të ulej në tryezën e bisedimeve. “Vendosa tarifa 50% ndaj BE-së dhe ata më telefonuan menjëherë: ‘Të lutem, hajde të takohemi’. Tani kemi afat negociimi deri më 9 korrik.”

Në mënyrë të diskutueshme, Trump pretendoi se kjo strategji ka gjeneruar 14 trilionë dollarë investime në SHBA – një shifër që nuk është e verifikuar nga asnjë burim i pavarur. Ai e përdori këtë si krahasim me administratën e Biden, të cilën e akuzoi se kishte lënë ekonominë amerikane në kolaps.

Por zemërimi i tij kryesor ishte ndaj akronimit “TACO”, të cilin e cilësoi si “një fyerje personale” dhe e riktheu disa herë gjatë fjalimit të tij, duke e quajtur “të padrejtë dhe dashakeq”. Ai përmbylli me një ton të ashpër: “Unë nuk tërhiqem. Madje, më thonë që jam shumë i ashpër!”

Lini një Përgjigje