Netanyahu jep urdhër për ofensivë totale mes urisë ekstreme; bota paralajmëron katastrofë humanitare...
Më 8 gusht 2025, kabineti i sigurisë së Izraelit, i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gaza-s, një nga zonat më të dendura dhe të shkatërruara të Rripit.
Sipas Reuters, operacioni paraqitet nga qeveria si hap vendimtar për çlirimin e robërve izraelitë dhe asgjësimin e strukturave të Hamasit, ndërsa pritet të shoqërohet me zhvendosjen e dhjetëra mijëra civilëve dhe zgjerimin e mëtejshëm të kontrollit ushtarak në territor.
Netanyahu ka deklaruar se nuk synon qeverisje të përhershme mbi Gaza-n, por ‘The Guardian’ vëren se faktet në terren tregojnë për një strategji të ngadalshme dhe të qëndrueshme të vendosjes së forcave.
Ky vendim ka nxitur një valë reagimesh të ashpra ndërkombëtare.
Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian paralajmërojnë se pushtimi i plotë i qytetit, në kushtet e një krize ekstreme ushqimore, do të shndërrohet në katastrofë humanitare.
Turqia dhe Britania e Madhe i kanë kërkuar Tel Avivit të tërhiqet, ndërsa lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, e ka cilësuar lëvizjen si një “përshkallëzim të panevojshëm” që nuk e afron zgjidhjen politike.
Nga ana tjetër, situata humanitare në Gaza është në pikën më kritike.
Sipas të dhënave të publikuara nga AP, mbi 2.3 milionë banorë po përballen me pasiguri të lartë ushqimore, ndërsa një pjesë e tyre ndodhet në fazën “katastrofike” të urisë (IPC Phase 5).
Incidentet gjatë shpërndarjes së ndihmave kanë marrë përmasa tragjike: sipas burimeve humanitare, mbi 1,300 civilë janë vrarë në përpjekje për të marrë ushqim, shpesh në shpërndarje të organizuara nga fondacione të mbështetura nga SHBA dhe Izraeli.
Analistët paralajmërojnë se Gaza po afrohet me një “pikë pa kthim”, ku çdo veprim i ri ushtarak jo vetëm që do të shtojë vuajtjet, por do të betonojë një cikël të gjatë armiqësie dhe dhune.
Kjo situatë e vendos Izraelin përballë një prove të rëndësishme: a do të zgjedhë të ecë përpara me logjikën e forcës, apo do të pranojë se etika humanitare është një pjesë e pandashme e sigurisë afatgjatë.
Nëse pushtimi i Gaza-s zhvillohet pa një strategji të qartë për mbrojtjen e civilëve dhe garantimin e furnizimeve bazë, siç paralajmërojnë OKB dhe organizatat e ndihmës, historia do ta kujtojë këtë moment jo si një fitore strategjike, por si një kapitull të errët ku uria u përdor si armë./Pamfleti
Lini një Përgjigje