Në dy vitet e fundit, organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar rritje të dhunës së kolonëve dhe kufizime të qasjes së palestinezëve në tokat dhe pronat e tyre...
Qeveria izraelite miratoi këtë javë një plan për të regjistruar toka në Bregun Perëndimor të pushtuar si “tokë shtetërore”, një vendim që ka nxitur reagime dhe akuza për thellim të kontrollit izraelit mbi territorin palestinez.
Propozimi u mbështet nga ministra të krahut të djathtë, përfshirë Ministrin e Financave Bezalel Smotrich, Ministrin e Drejtësisë Yariv Levin dhe Ministrin e Mbrojtjes Israel Katz. Sipas vendimit, qeveria do të krijojë 35 pozicione të reja dhe do të ndajë 244.1 milionë shekelë (rreth 79 milionë dollarë) për projektin e regjistrimit të tokës në periudhën 2026–2030.
Procesi i regjistrimit të tokës ishte ngrirë që nga viti 1967. Rifillimi i tij interpretohet nga kritikët si vazhdimësi e një politike afatgjatë për konsolidimin e kontrollit izraelit në territor. Autoritetet izraelite nuk kanë njoftuar pezullim të praktikave të tjera të administrimit të tokës gjatë kësaj periudhe.
Për palestinezët dhe organizatat që kundërshtojnë planin, vendimi nuk përbën një zhvillim të ri, por një forcim të pranisë izraelite në Bregun Perëndimor. Sipas tyre, regjistrimi i tokës nuk është vetëm një procedurë teknike, por një hap me pasoja afatgjata juridike.
Nga Oslo te Zona C
Masa lidhet drejtpërdrejt me ndarjen administrative të vendosur nga Marrëveshjet e Oslos (1993–1995), të cilat e ndanë Bregun Perëndimor në Zonat A, B dhe C. Zona C, që përbën mbi 62 për qind të territorit dhe përfshin shumicën e burimeve natyrore, mbeti nën kontroll të plotë izraelit, ndërsa Zonat A dhe B administrohen pjesërisht ose kryesisht nga Autoriteti Palestinez.
Sipas planit të ri, regjistrimi i tokës në Zonën C do të kryhet përmes Administratës së Zgjidhjes së Titujve të Tokës, pjesë e Ministrisë së Drejtësisë së Izraelit. Kritikët argumentojnë se kjo lëvizje e zhvendos administrimin nga korniza ushtarake në qeverisje të drejtpërdrejtë civile izraelite, duke e institucionalizuar kontrollin.
Më 8 shkurt, një javë para miratimit të planit, autoritetet izraelite miratuan gjithashtu masa që lehtësojnë procedurat e blerjes së tokës nga kolonët, duke reduktuar mbikëqyrjen. Po atë ditë, u ndërmorën hapa që, sipas kundërshtarëve të politikës, kufizojnë më tej kompetencat e Autoritetit Palestinez në Zonat A dhe B.
Sipas analizave kritike, këto masa përfaqësojnë një fazë të re të zgjerimit territorial përmes instrumenteve administrative, më shumë sesa përmes veprimeve të hapura ushtarake.
Regjistrimi dhe pasojat ligjore
Regjistrimi i tokës si “tokë shtetërore” krijon pasoja të qëndrueshme juridike. Pasi një parcelë përfshihet në regjistrin shtetëror izraelit, përmbysja e statusit të saj bëhet më e vështirë krahasuar me sekuestrimet e përkohshme ushtarake.
Kundërshtarët e planit e krahasojnë këtë proces me praktika të mëparshme, përfshirë përdorimin e Ligjit të Pronës së Munguar pas vitit 1948, kur toka të palestinezëve që nuk ndodheshin fizikisht në pronat e tyre u përvetësua nga shteti izraelit. Ata paralajmërojnë për një dinamikë të ngjashme në Bregun Perëndimor, ku zhvendosjet, kufizimet e qasjes dhe shpalljet e zonave të mbyllura ushtarake mund të ndikojnë në statusin e pronësisë.
Në dy vitet e fundit, organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar rritje të dhunës së kolonëve dhe kufizime të qasjes së palestinezëve në tokat dhe pronat e tyre. Sipas këtyre raporteve, në disa raste zona të tëra janë shpallur të mbyllura, duke penguar pronarët të hyjnë në to.
Autoritetet izraelite e paraqesin regjistrimin si proces administrativ dhe kadastral. Kritikët, nga ana tjetër, e konsiderojnë atë si instrument për konsolidimin e kontrollit territorial.
Reagimi ndërkombëtar
Debati mbi planin zhvillohet në një kontekst më të gjerë kritikash ndaj politikave izraelite në Bregun Perëndimor. Organizata palestineze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar prej vitesh për rritjen e dhunës së kolonëve dhe për bashkërendim të mundshëm mes forcave të sigurisë dhe grupeve të armatosura në disa zona.
Nga ana tjetër, Izraeli ka argumentuar se veprimet e tij synojnë administrimin e territorit dhe garantimin e sigurisë.
Analistët vërejnë se zhvendosja e fokusit nga operacionet ushtarake të drejtpërdrejta drejt mekanizmave administrativë e bën më pak të dukshme përshkallëzimin në terren, por nuk e redukton ndikimin afatgjatë në statusin e territorit.
Debati mbi regjistrimin e tokës në Bregun Perëndimor pritet të vazhdojë, ndërsa çështja e statusit përfundimtar të territorit mbetet një nga pikat më të ndjeshme në konfliktin izraelito-palestinez./Përshtati “Pamfleti” nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje