
Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë një tjetër sinjal sfidues ndaj Perëndimit dhe Ukrainës, duke deklaruar se Rusia nuk do të ndalet derisa të përmbushë të gjitha objektivat e saj ushtarake në Ukrainë.
Gjatë një takimi me Këshillin për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtat e Njeriut, Putin theksoi se “Rusia do ta çojë këtë luftë drejt një fundi logjik” dhe se “qëllimet strategjike ushtarake do të arrihen”.
Ai përsëriti tezën se Donbasi është tokë historikisht ruse, ndërsa territoret e pushtuara nga forcat ruse i quajti “tokë e rikthyer”. Në listën e zonave të kontrolluara pjesërisht nga ushtria ruse përfshihen: Donetsk, Luhansk, Kharkiv, Zaporizhzhia, Kherson, Sumy dhe Dnipropetrovsk — si dhe Krimea e aneksuar që në vitin 2014. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Itali, deklaroi se është i gatshëm të organizojë zgjedhje në kushte lufte, brenda 60–90 ditëve, nëse sigurohet mbështetje nga SHBA dhe BE për mbarëvajtjen dhe sigurinë.
Ai shtoi se do të kërkojë nga parlamenti miratimin e një ligji të posaçëm për zgjedhje gjatë gjendjes ushtarake dhe se ka përgatitur një plan të përditësuar paqeje që do t’i dërgohet nesër Uashingtonit.
“Ne po punojmë sot dhe do të vazhdojmë nesër. Mendoj se nesër do ta dorëzojmë planin në SHBA,” – deklaroi Zelensky për gazetarët.
Lini një Përgjigje