Pas disa ditësh temperaturash ekstreme, stuhitë e forta shkaktuan dëme materiale, ndërprerje të energjisë elektrike dhe të plagosur në disa rajone të Francës. Rrufe goditën edhe Kullën Eiffel, ndërsa pamjet u shpërndanë gjerësisht në internet...
Pas disa ditësh me temperatura shumë të larta, Franca u përball me stuhi të fuqishme dhe aktivitet intensiv elektrik, veçanërisht në pjesën veriore të vendit.
Sipas gazetës franceze Le Monde, një pjesë e madhe e territorit, përfshirë Francën veriore, u vendos që në orët e para të së dielës në nivelin portokalli të paralajmërimit për stuhi të forta.
Në Paris, rrufe goditën Kullën Eiffel, duke krijuar një spektakël të pazakontë ndriçimi. Pamjet e momentit, të regjistruara nga kënde të ndryshme, u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.
Fenomenet ekstreme shkaktuan të plagosur, dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të gjera të furnizimit me energji elektrike, ndërsa temperaturat e larta vazhdojnë të mbeten problem në verilindje të Francës.
Në departamentin Nord, shërbimet zjarrfikëse kryen 405 ndërhyrje, kryesisht për largimin e pemëve të rrëzuara nga rrugët dhe për përmbytje në banesa. Dy persona mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për gjendjen e tyre shëndetësore.
Në departamentin Ain, stuhitë u shoqëruan me erëra që tejkaluan 100 kilometra në orë. Rrufetë shkaktuan disa zjarre, ndërsa moti i keq la pa energji elektrike deri në 56 mijë familje. Të dielën në mëngjes, rreth 28 mijë prej tyre vijonin të ishin pa furnizim me energji. Gjatë natës, zjarrfikësit realizuan 118 ndërhyrje dhe raportuan gjithashtu shumë raste të rrëzimit të pemëve.
Në departamentin fqinj Somme, autoritetet evakuuan në mënyrë parandaluese festivalin Retro C Trop, ku ndodheshin rreth 2.900 persona. Megjithëse pemët e rrëzuara shkaktuan dëme të konsiderueshme, nuk u raportuan të lënduar.
Gjatë natës, gjithsej 46 departamente franceze u vendosën në nivelin portokalli të alarmit për stuhi, nga Rajoni Bask deri në veri të Francës. Shërbimi meteorologjik francez paralajmëron se moti pritet të përkeqësohet sërish pasditen dhe mbrëmjen e së dielës, me fenomenet më intensive të parashikuara nga Pirenetë deri në Masivin Qendror.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje