Bota23 Maj 2024, 11:58

Rusia vazhdon t’i shesë naftë Evropës nëpërmjet Turqisë, si anashkalohen sanksionet

Shkruar nga Alfonso Bianchi

Rusia vazhdon t’i shesë naftë Evropës nëpërmjet

Si i anashkalon sanksionet “flota fantazmë” e Putinit

Duket se nafta ruse vazhdon të mbërrijë në Evropë (pothuajse) pa probleme, pavarësisht se importet janë zyrtarisht të ndaluara, si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Dhe kjo ndodh për shkak të një mashtrimi:hidrokarburet e Moskës kalojnë nëpër portet turke, ku më pas transferohen në anijet turke, dhe rishiten në Evropë sikur të ishin produkte turke.

Thuhet se presidenti rus Vladimir Putin, po përdor një boshllëk serioz në sanksionet e Brukselit, i cili lejon të hyjnë në BE karburantet “e përziera”, në rast se ato etiketohen si jo-ruse. Sigurisht, kjo ndodh me bashkëpunimin e vendit të qeverisur nga Recep Tayyip Erdogan.

Denoncimi vjen nga hulumtimi i kryer nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA) dhe Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD), sipas të cilave Ankaraja po e ndihmon Kremlinin të mbrojë tregtinë e tij të lëndëve djegëse fosile, e cila përbën pothuajse gjysma e buxhetit të saj, dhe për pasojë është shumë e rëndësishme për të përballuar kostot e pushtimit të Ukrainës.

Si i anashkalon sanksionet “flota fantazmë” e Putinit

Shifrat e përfshira në studimin e dy qendrave kërkimore, tregojnë një rritje të importeve të Turqisë nga Rusia, si dhe një rritje të njëkohshme të eksporteve të saj në Evropë. Nga hyrja në fuqi e sanksioneve të naftës kundër Moskës më 5 shkurt 2023, dhe deri në fund të shkurtit të këtij viti, raportohet se Bashkimi Evropian ka importuar 5.16 milionë ton produkte nafte me vlerë 3.1 miliardë euro nga 3 porte turke pa qendra rafinimi, Ceyhan, Marmara Ereğlisi dhe Mersin.

Sigurisht, kjo s’do të thotë që çdo dërgesë karburanti që mbërrin në BE nga Turqia ka qenë ruse. Ankaraja ka rafineri që mund të përpunojnë gati 1 milion fuçi naftë në ditë, dhe kompanitë e vendit mund të shesin në Evropë edhe karburant jo-rus. Por pozicioni gjeografik i disa porteve në gadishullin e Anadollit, kombinuar me të dhënat e import-eksportit, nxit shumë dyshime.

Lëvizje të çuditshme

Bazuar në ankesën e dy grupeve të ekspertëve, vetëm në majin e vitit 2023, terminali i naftës “Toros Ceyhan” në portin turk Ceyhan mori 26.923 tonë naftë nga Novorossiysk në Rusi. Dhe vetëm 10 ditë pas importit, terminali ka dërguar një vëllim të ngjashëm nafte në rafinerinë Moh në Korint të Greqisë.

Nga pikëpamja logjistike, një anije ruse që niset nga Novorossiysk, një qytet në Detin e Zi, duhet të kalojë vetëm këtë të fundit. Pastaj midis dy ngushticave të Dardaneleve dhe Bosforit, ndodhet porti Ereğlisi në detin Marmara. Pas kalimit të ngushticave në Mesdhe, janë ato të Mersinës dhe Cejhanit. Nga atje, mbërritja në Greqi është shumë e lehtë.

Një pozicion strategjik

Pozicioni strategjik i Turqisë në Detin e Zi, i ka lejuar gjithmonë tregtarët e “arit të zi” të bëjnë biznes duke importuar produkte të naftës, të cilat më pas mund të ruhen lehtësisht në terminale
të vendosura në porte të ndryshme të vendit.

Këto objekte magazinimi, janë shndërruar në pika kyçe të tregtisë së produkteve të naftës ruse në nivel global, përfshirë edhe rajonet e sanksionuara si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sidomos për blerësit kryesorë të saj në Greqi, Itali, Spanjë, Rumani dhe Holandë.

Por kjo rrugë drejt naftës së Putinit duhet të bllokohet. Në qershorin e vitit 2022, BE-ja miratoi një paketë të gjashtë sanksionesh, e cila ndër të tjera e ndalon blerjen, importin ose transferimin e naftës bruto dhe produkteve të ndryshme të naftës të transportuara me rrugë detare nga Rusia në Bashkimi Evropian.

Sanksionet e anashkaluara

Kufizimet hynë në fuqi që nga 5 dhjetori 2022 për naftën bruto dhe nga 5 shkurti 2023 për naftën e rafinuar. Që nga ajo periudhë, blerjet e naftës bruto ruse në Turqi nisën të shtohen gjithnjë e më shumë. Nga 5 shkurti i 2023-ës deri në fund të shkurtit 2024, Turqia importoi 17.6 miliardë euro produkte nafte ruse, një rritje prej 105 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, konsumi i brendshëm i produkteve të naftës në Turqi u rrit me vetëm 8 për qind në vitin 2023, një shenjë e qartë se pjesa më e madhe e hidrokarbureve të Moskës u transportuan nga diku tjetër. Në vitin 2023, Turqia u bë blerësja më e madhe në botë i produkteve të naftës ruse, dhe importoi 18 për qind të totalit të eksporteve të Moskës.

Lulëzimi i importeve të Ankarasë, ndoqi një prirje globale në zhvillim, ku vendet që nuk kanë vendosur sanksione si India dhe Kina, i kanë shtuar blerjet, duke përfituar nga disponueshmëria e Federatës për hidrokarbure me çmime më të ulëta, teksa Kremlini është i dëshpëruar për të gjetur tregje të reja.

Por në Turqi, një ndryshim thelbësor ka qenë rritja e produkteve të naftës së rafinuar në vend të naftës së papërpunuar. Në të njëjtën periudhë, 11 për qind (13 milionë ton) importe totale të produkteve të naftës të BE-së erdhën nga Turqia:një rritje prej 107 për qind në vëllim krahasuar me një vit më parë, theksohet në studim. Një tjetër e dhënë, që tregon se Turqia mund të mos importojë vetëm naftë ruse për konsum të brendshëm, por mund të veprojë si një trampolinë për naftën ruse drejt vendeve të BE-së dhe G7-ës./Marrë nga “Europa Today”, përshtati 'Pamfleti'

rusia nafte evrope turqi sanksione