Në sa vende të Lindjes së Mesme do të zgjerohen operacionet ushtarake dhe cilat do të jenë pasojat e konfliktit...
Të gjithë pyesin sa do të zgjasin luftimet mes forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, në sa vende të Lindjes së Mesme do të zgjerohen operacionet ushtarake dhe cilat do të jenë pasojat e konfliktit në çmimet e naftës, në transportin detar, si edhe nëse regjimi i mullahëve do të mbijetojë pas vdekjes së Khameneit.
Pyetja vendimtare është sa predha, pra sa raketa balistike, ka ende Irani në arsenalin e tij. Në varësi të ritmit të lëshimit të raketave nga forcat e Teheranit, Garda Revolucionare e Iranit mund të vazhdojë sulmet ndaj Izraelit dhe vendeve arabe edhe për një deri në dy, në maksimum tre javë. Kjo, nëse Teherani ka ende në dispozicion rreth 1.000 raketa balistike, me të cilat do të përpiqet të krijojë probleme për Izraelin dhe për bazat ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik.
A kanë mundësi izraelitët dhe amerikanët të zmbrapsin sulmet balistike të Iranit? Përgjigjja është po, në një masë të madhe, pasi edhe sistemet më të avancuara antibalistike nuk mund të përballen njëkohësisht me dhjetëra raketa balistike. Zgjedhja është gjithmonë të rrëzohen predhat që lënë gjurmën më të madhe termike dhe, për rrjedhojë, vlerësohen si më të fuqishmet dhe potencialisht më vdekjeprurëset.
Në 7–10–15 ditët e ardhshme, forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit do të përqendrohen kryesisht në zmbrapsjen e raketave iraniane, ndërkohë që do të kryejnë goditje për eliminimin e drejtuesve kryesorë të Teheranit dhe të instalimeve kritike ushtarake të Iranit. Pas eliminimit të udhëheqësit të lartë fetar të Iranit, Khameneit, me nisjen e operacioneve luftarake, shërbimet e inteligjencës së Izraelit dhe SHBA-së, pra Mossad dhe CIA, me rrjetet e tyre të spiunëve në Iran, synojnë të lokalizojnë dhe të vënë në shënjestër figura të larta të regjimit, shkruan Newsbomb në një analizë.
Në këtë situatë që po zhvillohet, duhet të merret parasysh edhe mosbesimi i dukshëm i të gjithëve ndaj të gjithëve brenda aparatit të Teheranit, pasi brenda strukturave askush, madje as nga radhët e Gardës Revolucionare më të ashpër, nuk është në gjendje të dijë kush është besnik ndaj regjimit dhe kush mund të bashkëpunojë me Izraelin dhe amerikanët.
Hapja e zjarrit kundër objektivave amerikane dhe Izraelit nga Hezbollahu dhe Houthit është e qartë se i shërben plotësisht synimit të Benjamin Netanyahut për të përfunduar sa më shpejt me kërcënimin nga Libani dhe Jemeni. Prandaj, si goditjet nga Hezbollahu ashtu edhe lëshimi i raketave balistike nga Irani i shërbejnë strategjisë së Netanyahut për shkatërrimin e programit raketor të Teheranit. Me një mënyrë ose tjetër qoftë përmes lëshimit dhe kapjes së raketave, qoftë përmes shkatërrimit në depot e municioneve, me luftën që po zhvillohet, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do të arrijnë t’i japin fund programit raketor/balistk të Iranit.
Gabimi i Iranit është se, duke goditur baza ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik, humbet mbështetjen që mund të kishte për përfundimin sa më të shpejtë të operacioneve kundër tij.
A do të ndryshojë regjimi në Iran? Pavarësisht vrasjes së Khameneit, rënia e regjimit teokratik është shumë e vështirë nëse populli i Iranit nuk vazhdon kryengritjen për të rrëzuar klerikët drejtues dhe Gardën Revolucionare. Edhe të dobësuar, pasuesit e Khameneit do të bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur pushtetin.
Shkatërrimi ose konsumimi i pritshëm i arsenalit raketor/balistik të Iranit, në kombinim me eliminimin e Khameneit, do t’i japë Benjamin Netanyahut dhe Donald Trumpit argumentin se kanë arritur objektivat e operacionit të tyre kundër Teheranit.
Sa i përket programit bërthamor të Iranit, nuk bëhet fjalë, pasi kjo përpjekje duket shumë e largët, në mos utopike.
Në afat të gjatë, edhe nëse supozohet se Irani do të ridizenjojë krijimin dhe sigurimin e kapaciteteve balistike, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë aftësinë dhe mundësinë ta shkatërrojnë sërish programin raketor të Teheranit.
Ndërkohë, është e qartë se loja në nivel ushtarak, politik dhe diplomatik luhet nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu. NATO është jashtë dhe në periferi, OKB-ja e painvolvuar, pasive dhe pa ndikim, ndërsa Bashkimi Evropian, së bashku me aktorët e fuqishëm të Evropës, mbetet jashtë hartës dhe pothuajse i papranishëm. Kjo tregon shumë për pasqyrimin e fuqisë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje