TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Korrik 2026, 21:45

SHBA plan të zgjerojë sulmet ndaj Iranit, Hegseth kërkon 80 miliardë dollarë shtesë nga Senati 

Shkruar nga Pamfleti
SHBA plan të zgjerojë sulmet ndaj Iranit, Hegseth kërkon 80
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali Dan Caine, do të raportojnë në Senatin amerikan mbi strategjinë e administratës së Presidentit Donald Trump në konfliktin me Iranin, ku pritet të kërkojnë edhe miratimin e fondeve shtesë.

Sipas raportimeve, Pentagoni kërkon rreth 80 miliardë dollarë për të mbuluar kostot e operacioneve ushtarake dhe për të rimbushur rezervat e armëve, të cilat janë reduktuar si pasojë e konfliktit.

Luftimet rifilluan më 8 korrik, pasi armëpushimi mes Uashingtonit dhe Teheranit dështoi, duke sjellë përshkallëzim të ri të situatës dhe humbje për forcat amerikane.

Një sulm iranian ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani la të vrarë dy ushtarë amerikanë, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur. Sipas burimeve amerikane, ishte sulmi i katërt ndaj forcave të SHBA-së në rajon brenda pesë ditëve.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Irani vazhdon të ketë kapacitete të konsiderueshme raketore dhe ka përmirësuar aftësinë për të shmangur sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore. Nga sulmet janë plagosur gjithashtu dhjetëra ushtarakë dhe janë dëmtuar disa helikopterë.

Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton zgjerimin e operacioneve ushtarake, duke përfshirë goditje ndaj objekteve bërthamore nëntokësore, urave dhe infrastrukturës energjetike të Iranit. Një veprim i tillë pritet të ngjallë debat në Kongres lidhur me bazën ligjore të operacioneve.

Një tjetër çështje kyçe mbetet situata në Ngushticën e Hormuzit. Mbyllja e saj ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse SHBA mund të garantojë rikthimin e lundrimit të lirë pa angazhimin e forcave tokësore.

Senati amerikan pritet të vendosë nëse do të miratojë fondet shtesë, në një kohë kur po shtohen pikëpyetjet mbi strategjinë, koston dhe kohëzgjatjen e konfliktit.

shba plan te zgjeroje sulmet ndaj iranit

Lini një Përgjigje