Dhjetëra mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e prekura nga zjarret masive në jugperëndim të Francës dhe pranë Madridit në Spanjë, ndërsa autoritetet po përpiqen të vënë nën kontroll flakët që vijojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave të forta.
Në Francë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, në bregdetin jugperëndimor, ku rreth 40 mijë persona janë larguar ose ndodhen në proces evakuimi. Qindra persona janë transportuar me anije drejt Arcachon, ndërsa të tjerë janë larguar përmes rrugëve tokësore.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri, i cilësuar si një "zjarr XXL", ka përfshirë rreth 10 mijë hektarë tokë që prej së martës. Deri tani janë shkatërruar 53 banesa dhe një kamping, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur shpëtimin e rreth 2 mijë shtëpive.
Ndërkohë, në Spanjë, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare, pasi zjarret pranë Madridit kanë dalë jashtë kontrollit, duke detyruar evakuimin e mbi 19 mijë personave. Vatrat kryesore ndodhen në zonat Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias, në perëndim të kryeqytetit.
Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi situatën si “zjarrin më të keq në historinë e rajonit”, duke theksuar se temperaturat ekstreme, erërat e forta dhe bashkimi i disa fronteve të zjarrit kanë krijuar një situatë të paprecedentë. Sipas saj, prioriteti kryesor mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve.
Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, e përshkroi situatën si dramatike dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
Nga ana tjetër, shefi i shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit në Francë, Marc Vermeulen, deklaroi se flakët janë përhapur me një ritëm të pazakontë gjatë natës, duke djegur nga 800 deri në 1.000 hektarë në orë. Ai theksoi se kushtet aktuale janë edhe më të vështira se ato të zjarreve të mëdha të vitit 2022, për shkak të thatësirës më të theksuar që po përjeton rajoni.
Lini një Përgjigje