
Kryeministri është zotuar që ta stabilizojë ekonominë e vendit dhe të mbajë Sofjen në një pozicion pro-evropian dhe atlantist. Por këto objektiva, mund të jenë të vështira për t’u arritur.
Bullgaria ka tashmë një qeveri të re, pas 2 muaj negociata intensive pas zgjedhjeve të parakohshme të tetorit të vitit të kaluar. Ky zhvillim mund t’i japë fund krizës së gjatë politike që ka përfshirë vendin. Gjatë 3 viteve të fundit, në vendin ballkanik janë mbajtur 7 palë zgjedhje parlamentare, asnjëra prej të cilave nuk ka prodhuar një shumicë të qartë parlamentare dhe as qeveri të qëndrueshme.
Koalicionet e ndryshme që pasuan njëri-tjetrin u rrëzuan brenda pak muajsh, shpesh për shkak të konflikteve të brendshme të papajtueshme, duke e zhytur Sofjen në një spirale destabiliteti që i dëmtoi kredencialet e saj pro-evropiane dhe besueshmërinë në skenën ndërkombëtare.
Qeveria e re, e cila mori 126 vota pro nga 240 gjithsej, drejtohet nga Rosen Zhelyazkov dhe përfshin 4 grupime politike. Partia GERB, një formacion politik i qendrës së djathtë, anëtar i të cilit është Zhelyazkov dhe që fitoi ngushtë zgjedhjet e fundit, ka zgjedhur që të bashkohet me Partinë Socialiste Bullgare (BSP), e njohur për pozicionet e saj pro-ruse dhe euroskeptike.
Pjesë e qeverisë re do të jenë edhe populistët e “Ka një popull të tillë” (ITN), dhe do të gëzojë edhe mbështetjen e jashtme të centristëve të Partisë së Minoritetit Turk (APS). GERB përfaqëson shumicën e ministrave të qeverisë, 11, ndërsa partitë e tjera kanë një rol dytësor.
Kryeministri është zotuar që ta stabilizojë ekonominë e vendit dhe të mbajë Sofjen në një pozicion pro-evropian dhe atlantist. Por këto objektiva, mund të jenë të vështira për t’u arritur. Bashkëjetesa me BSP-në, afër Kremlinit dhe armiqësore ndaj Ukrainës dhe me ITN, e lindur si një lëvizje kundër korrupsionit në kundërvenie ndaj GERB-it dhe gjithnjë e më shumë anti-evropiane, premton të jetë goxha komplekse.
Bashkëjetesa në këtë koalicion, duket të jetë e nxitur nga ndjekja e interesave partiake dhe personale. Katër vitet e fundit janë karakterizuar nga stanjacioni ekonomik dhe pasiguria, të cilat kanë çuar në pakësimin e fondeve evropiane dhe dështimin e Sofjes për t’u bashkuar me eurozonën, një objektiv i vendosur fillimisht për vitin 2025, dhe që tani është shtyrë për në kohë më të mira.
Distancimi nga Rusia e Vladimir Putin, nuk është më i sigurt, duke pasur parasysh rolin që do të luajë BSP, një partnere e pakicës, por e aftë që të ndikojë në politikën e jashtme të vendit. Në fakt, deputeti socialist Ivan Petkov u takua nëntorin e kaluar në Soçi me ish-presidentin rus Dimitri Medvedev.
Ky takim, dëshmon afërsinë mes BSP-së dhe Kremlinit si dhe ekzistencën e marrëdhënieve të ngushta midis të dyja palëve. Kundërshtimi i dërgimit të ndihmës ushtarake ndaj Kievit, është një çështje komplekse për qeverinë e re. Dallimet janë në dukje të papajtueshme, dhe do të jetë e vështirë të injorohen.
Po ashtu, nuk mungojnë vështirësitë dhe keqkuptimet në sferat e tjera të veprimtarisë së qeverisë. BSP dhe ITN nuk kanë ndërmend që të mbyllin uzinat e qymyrit në vend, një angazhim që Sofja ka premtuar ta respektojë deri në vitin 2038.
Kjo qasje, mund të ndërlikojë marrëdhëniet me Brukselin në terma afatgjatë. Ngurrimi i Bullgarisë për t’iu përmbajtur angazhimeve të saj klimatike me Bashkimin Evropian, ka çuar në bllokimin e 4.5 miliardë eurove fonde të BE-së që duhet t’i jepen kombit ballkanik si pjesë e Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.
Që të dyja palët, kanë premtuar se do të punojnë që Sofja t’i bashkohet euros, por pa e nxituar procesin. Këtë këndvështrim, ndan edhe një pjesë e opinionit publik bullgar, që i druhet një rritjeje të mundshme të çmimeve.
Paradoksi është se GERB, grupimi më pro-evropian midis atyre që janë pjesë e qeverisë, është një parti e diskutueshme për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë bullgare. Ish-kryeministri Bojko Borisov, në pushtet me disa ndërprerje midis viteve 2009-2021 dhe anëtar i GERB-it, u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2021 pas disa muaj protestash popullore kundër korrupsionit.
Figura plot dritë-hije e Borisovit ka ndikuar për mirë apo keq, në fatet e lëvizjes së tij, e cila ka dominuar në të gjitha zgjedhjet e mbajtura nga viti 2021 e deri më sot, sado që e ka të vështirë të gjejë partnerë për të bashkëqeverisur.
Marrëdhëniet midis GERB dhe oligarkut kontrovers Delyan Peevski janë një çështje shqetësuese, një perceptim që vetëm sa do të forcohet, pasi koalicioni i ri hoqi nga teksti i marrëveshjes çdo referencë ndaj një reduktimi të ndikimit të Peevskit.
Stabiliteti i qeverisë se re, e krijuar më shumë për t’i dhënë fund një krize politike ekzistenciale se sa si fryt i një harmonie ideologjike, mund të cenohet nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, duhet të shprehë mendimin e saj për rinumërimin e votave të zgjedhjeve të fundit parlamentare në tetor 2024.
Siç raporton Euractiv, ajo duhet të përcaktojë se sa vende duhet të ketë partia e të djathtës ekstreme dhe pro-ruse Velichie. Nëse ndodh kjo, grupimi ekstremist që nuk e tejkaloi pragun për vetëm 30 vota, do të hynte në parlament duke sjellë një rishpërndarje të mandateve, e cila do t’i penalizonte partitë qeveritare./ Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje