TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 08:10

Si mund ta shkatërrojë lufta e Iranit ekonominë amerikane?!

Shkruar nga Pamfleti
Si mund ta shkatërrojë lufta e Iranit ekonominë amerikane?!
Një shofer kamioni furnizohet me karburant një kamion me naftë në një stacion benzine Pilot në Eloy, Arizona, më 18 mars 2026

Në Shtetet e Bashkuara, ky “shkatërrim” ka nisur tashmë të shfaqet.

Në thelbin gjuhësor, shprehja dyfjalëshe “shkatërrim i kërkesës” tingëllon e ashpër, e rëndë dhe madje disi e dhunshme.

Në praktikë, ajo përshkruan një realitet që i afrohet kësaj ndjesie: do të thotë që një goditje në çmime mund të jetë aq e madhe, aq e zgjatur dhe aq e dhimbshme sa sjelljet e konsumit ndryshojnë ndonjëherë deri në atë pikë sa ndryshojnë në mënyrë të përhershme drejtimin, strukturën dhe stabilitetin e një sektori apo të një ekonomie të tërë.

Më herët këtë muaj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se, pas “goditjes më të rëndë në histori në furnizimin me naftë … shkatërrimi i kërkesës do të përhapet ndërsa mungesat dhe çmimet e larta vazhdojnë”.

Në Shtetet e Bashkuara, ky “shkatërrim” ka nisur tashmë të shfaqet.

Rritja e shpejtë e çmimeve të karburanteve ka gërryer me shpejtësi të ardhurat e fituara me mund nga amerikanët dhe kthimet e tyre nga taksat duke goditur më fort ata që kanë më pak mundësi për ta përballuar këtë situatë.

Inflacioni është rritur ndjeshëm, rritja e pagave është ngadalësuar dukshëm dhe besimi i konsumatorëve ka rënë, duke dhënë sinjale për pasoja të tjera të mundshme në vijim.

Konsumatorët amerikanë kanë mbetur të qëndrueshëm deri tani. Por ekonomistët paralajmërojnë se sa më gjatë të zgjasë lufta me Iranin dhe të mbetet e bllokuar ngushtica kritike e Hormuzit për cisternat e naftës dhe anijet e mallrave, aq më i madh bëhet rreziku për pasoja shumë më të rënda.

“Koha nuk është aleate e ekonomisë amerikane”, deklaroi Joe Brusuelas, ekonomist kryesor në firmën e kontabilitetit dhe konsulencës RSM US.

Një reaksion zinxhir shkatërrimi

Energjia prek çdo familje, industri dhe sektor.

“Në ekonominë amerikane ka më shumë se një miliard çmime, kështu që shkatërrimi i kërkesës do të jetë i ndryshëm sipas industrisë dhe sipas nivelit të të ardhurave,” tha Brusuelas.

Hartimi i pasojave që në pamje të parë duken abstrakte nga një konflikt me kohëzgjatje dhe rezultat të pasigurt është kompleks.

Megjithatë, Brusuelas dhe ekonomisti tjetër i RSM, Tuan Nguyen, janë përpjekur ta bëjnë pikërisht këtë. Në një analizë të fundit, ata përdorën rezultatet e krizave të mëparshme të naftës për të përcaktuar rrugët e mundshme për amerikanët dhe ekonominë në tërësi.

Erozioni i të ardhurave të fituara me mund nga amerikanët mund të nënkuptojë më pak vizita në restorante, më pak udhëtime, më pak blerje makinash dhe më pak shitje shtëpish; ndërkohë që dobësimi i investimeve të bizneseve dhe rënia e kërkesës mund të çojnë në pushime nga puna, duke rritur dhimbjen ekonomike.

RSM paraqet këtë reaksion të mundshëm zinxhir:

Së pari, çmimet e naftës rriten dhe krijojnë një barrë shtesë për çdo familje dhe biznes. Më shumë para shkojnë për energjinë, më pak për shpenzime të tjera.

Së dyti, bie besimi. Kur njerëzit kanë frikë se mund të ndodhin gjëra të këqija, ata fillojnë të reduktojnë shpenzimet diskrecionale.

Më pas, blerjet e mëdha “ngrijnë”. Njerëzit shtyjnë blerjen e makinave të reja ose hezitojnë të nënshkruajnë kontrata kredie për shtëpi.

Në vijim, bizneset ndjejnë presionin. Rënia e shpenzimeve të konsumatorëve, së bashku me rritjen e kostove të naftës për transport, ngushton fitimet. Investimet dhe punësimet ndalen, dhe më pas fillojnë masat për uljen e kostove dhe pushimet nga puna.

Më pas ndërhyn Rezerva Federale. Inflacioni i nxitur nga nafta mund ta detyrojë bankën qendrore të SHBA-së të rrisë normat e interesit, duke thelluar ngadalësimin ekonomik.

Në fund, nëse çmimet e larta vazhdojnë, ndodhin ndryshime të përhershme në sjellje. Njerëzit blejnë automjete elektrike, punonjësit kërkojnë më shumë mundësi pune në distancë dhe bizneset përdorin teknologjinë si zëvendësim për fuqinë punëtore.

Përveç kësaj, edhe mallra të tjera mund të përballen me probleme furnizimi. Nuk është vetëm nafta që kalon zakonisht nëpër ngushticën e Hormuzit. Mungesat e plehrave kimike mund të rrisin çmimet e ushqimeve; ndërprerjet në furnizimin me helium mund të ngadalësojnë prodhimin e çipave dhe të rrisin kostot e kujdesit shëndetësor; ndërsa problemet me squfurin dhe gazin natyror mund të rrisin kostot industriale.

Rezultatet ekonomike aktualisht duken më të mira sesa në fillim të luftës, sipas Nancy Vanden Houten, ekonomiste kryesore për SHBA në Oxford Economics.

"Çmimet e naftës kanë rënë nga nivelet më të larta; armëpushimi ka sjellë njëfarë stabilizimi; dhe konsumatorët, të ndihmuar pjesërisht nga kthime më të mëdha taksash dhe nga vlera ende e lartë e aksioneve dhe pronave, kanë arritur të përballojnë rritjen e çmimeve të karburanteve.

Duket se skenari që mendonim si më i keqi do të shmanget. Por, gjithsesi, situata mund të ndryshojë shumë shpejt.

Në fund, sa gjatë konsumatorët dhe ekonomia në tërësi do të arrijnë të përballojnë këtë situatë do të varet nga shpejtësia me të cilën zgjidhet konflikti dhe nga rifillimi i qarkullimit të lirë të anijeve në ngushticë”, tha ajo.

Bryan, 30 vjeç, inxhinier në industrinë e automobilave, ka filluar tashmë të ngasë më pak makinën dhe të punojë nga shtëpia kur ka mundësi. Ai ka reduktuar daljet me miqtë, ka investuar fondet emergjente në bono thesari dhe po blen më shumë ushqime në dyqane me shumicë si Costco dhe BJ’s.

Planet e tij për një rinovim të kuzhinës dhe për blerjen e një makine me motor V8 janë pezulluar.

Ai mund të shkurtojë shpenzimet edhe për gjashtë muaj të tjerë; por nëse çmimet e karburanteve mbeten kaq të larta dhe kostot e tjera rriten ndjeshëm, ai do të heqë dorë nga pushimet, do të kërkojë një marrëveshje pune më të qëndrueshme në distancë dhe do të shqyrtojë blerjen e një automjeti hibrid.

Rrugët përpara

Edhe nëse lufta do të përfundonte menjëherë, rikuperimi ekonomik nuk do të ishte i shpejtë.

“Ndërprerja dhe rikthimi i furnizimit me naftë nuk është si ndezja e dritave. Në rastin më të mirë, do të duhen gjashtë muaj për të pasur një ide të qartë se sa afër jemi me nivelet e prodhimit para luftës në Gjirin Persik.”, tha Brusuelas.

Në disa raste, rikthimi i plotë i prodhimit mund të zgjasë me vite, shtoi ai.

Dhe efektet e çmimeve të larta mund të zgjasin.

“Kujtoni kur ndërpremë zinxhirët e furnizimit në shkurt dhe mars 2020? Nuk pamë rritje të inflacionit deri në prill 2021. Dhe sapo kishim filluar të shihnim efektin e tarifave të vendosura në prill 2025 në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.”, tha ai.

Will, në fund të të 40-ave, ka filluar të punojë si shofer Uber pasi puna e tij në konsulencë bioteknologjike është tkurrur për shkak të shkurtimeve në financimet federale dhe pasigurisë ekonomike. Në supermarket, ai blen më shumë produkte me markë të dyqanit dhe eliminon “lukset” për t’u përqendruar tek përbërësit bazë për gatim.

Me dy fëmijë në çerdhe, ai nuk mund të ndalojë së punuari, por ka ndaluar të pranojë udhëtime që janë shumë të gjata në distancë ose kohë.

Ai po e përballon situatën për momentin, por pasiguria dhe shqetësimi po rriten. Një emergjencë mjekësore ose një problem me makinën do të sillte vështirësi të mëdha financiare dhe mund ta detyronte të përdorte kursimet e pensionit.

Goditjet në furnizimin me naftë dhe materiale të tjera kritike, si plehrat kimike, po përhapen në ekonominë amerikane dhe mund të rrisin çmimet për një sërë mallrash dhe shërbimesh, tha Brusuelas.

Çmimet e larta të naftës për kamionët dhe makineritë bujqësore mund të paralajmërojnë rritje të çmimeve të ushqimeve. Kjo pa përfshirë ndërprerjet në furnizimin me plehra azotike, të cilat mund të ndikojnë në vendimet e fermerëve për mbjellje dhe në sasinë e ushqimit të disponueshëm në vjeshtë.

“Mund të duhen rreth gjashtë muaj, ose edhe më shumë, për të ndjerë plotësisht ndikimin e kësaj goditjeje në çmimet e ushqimeve”, tha David Ortega, ekonomist i ushqimit dhe profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit për CNN.

Disa amerikanë mund të rikuperohen nga rritja e fortë e kostove të karburanteve dhe efektet zinxhir në çmime. Por jo të gjithë kanë këtë mundësi.

Ka një shkatërrim të kërkesës që ka nisur në segmentet më të ulëta të tregut dhe që nuk mund të zhbëhet,” tha Brusuelas.

Me “segmentet më të ulëta”, ai i referohet familjeve në dy kuintilet më të ulëta të të ardhurave – atyre pa kursime emergjente dhe me pak ose aspak hapësirë manovrimi në buxhet.

Sian, 59 vjeç, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të udhëtojë për të shkuar në disa punë në zonën e gjerë metropolitane të Phoenix-it në Arizona nuk ka mundësi ndarjeje udhëtimi për turnin e natës në një kompani transporti. Ajo ka ndaluar kontributet për pensionin, po blen më pak ushqime dhe ka filluar të anulojë vizitat mjekësore.

Ajo po kërkon më shumë orë pune në punën e saj në shitje dhe po planifikon përdorimin e karburantit për të gjetur klientë të rinj për biznesin e saj të pastrimit. Pa më shumë klientë, ajo shqetësohet se do të detyrohet ta mbyllë biznesin sepse nuk mund të përballojë sigurimin.

Familjet me të ardhura të ulëta do të duhet të përballojnë ulje të thella të të ardhurave të disponueshme derisa çmimet të stabilizohen, tha Brusuelas. Kjo nuk është një rikthim në gjendjen e mëparshme. Është, edhe një herë, një realitet i ri.

“Ekziston një shprehje nga të afërmit e mi më të moshuar që jetuan në vitet ’70 (gjatë krizës së energjisë): ‘Më e mira që mund të shpresosh është të mbash ritmin, dhe askush nuk e mban plotësisht’. Shumë njerëz po ulin në mënyrë të përhershme standardin e jetesës dhe po zgjedhin të konsumojnë më pak për të mbajtur ritmin nëse munden.”, tha Bryan Pingle, një inxhinier 30-vjeçar i industrisë së automobilave që jeton në Detroit. /Përshtati "Pamfleti", nga "CNN"

lufta e iranit shkaterrim ekonomia amerikane

Lini një Përgjigje