TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2026, 13:30

Si po e përdor Putin krizën e Trumpit për të “helmuar” Evropën

Shkruar nga Mark Galeotti

Si po e përdor Putin krizën e Trumpit për të

Rusia po qëndron mënjanë duke shijuar spektaklin e një NATO-je në agoni, ndërsa përdor ambiciet e Trumpit për Grenlandën si mjetin perfekt për të përçarë aleatët perëndimorë, për të diskredituar rendin ndërkombëtar dhe për të izoluar përfundimisht Ukrainën në momentin e saj më kritik…

Ndërsa Donald Trump po shkakton një alarm global me planet e tij për të blerë, aneksuar ose pushtuar Grenlandën, Kremlini e sheh këtë krizë si një dhuratë të papritur.

Sigurisht, Grenlanda ka rëndësi strategjike për rusët deri në një farë mase. “GIUK Gap” (brezi Grenlandë-Islandë-Mbretëri e Bashkuar), është një pikë kalimi detare kyçe mes detit të Norvegjisë dhe atij të Veriut me Oqeanin Atlantik.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë që ata e shohin me shqetësim një kontroll të mundshëm nga SHBA. Asetet e NATO-s janë tashmë të pranishme atje dhe edhe sipas traktateve ekzistuese, nëse amerikanët ose evropianët do të donin të vendosnin më shumë trupa, avionë apo anije, mund ta bëjnë këtë.

Të martën, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, u bë zyrtari i radhës që u tall me projektin e Trumpit, përmes një deklarate ironike se Moska “nuk ka plane të nënshkruajë një traktat mbrojtjeje reciproke me Grenlandën”.

Pra rusët po e shijojnë dukshëm spektaklin e një krize brenda NATO-s, që duket se vërteton shumë prej pikave të tyre të propagandës.

1. Perëndimi si “imperialist”

Së pari, Moska argumenton se përkundër gjithë fjalimeve për një “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, kur dëshiron Perëndimi mund të jetë po aq imperialist sa kushdo tjetër. Lavrov iu referua kontrollit të Danimarkës mbi Grenlandën si rezultat i një “pushtimi kolonial”.

Ai tha: “Fakti që banorët janë mësuar të jetojnë atje dhe ndihen rehat, është një çështje tjetër. Por problemi i ish-kolonive, po bëhet një çështje gjithnjë e më serioze…”. Në këto kushte në raport me Jugun Global, Moska po pozicionohet si mbrojtëse e interesave lokale kundër një lloji të ri imperializmi perëndimor.

Ideja se Grenlanda është një shembull i dy vendeve perëndimore që grinden për burimet e një territori të kolonizuar mund të jetë e pasaktë, por tashmë ajo po përdoret gjerësisht në propagandën ruse.

2. Aleanca në krizë

Së dyti, Kremlini pretendon se aleanca perëndimore ishte tashmë në krizë, e mbajtur bashkë vetëm nga kundërshtimi i përbashkët ndaj Rusisë. “NATO është produkt i një  epoke specifike, dhe ajo ka përfunduar!”- deklaroi së fundmi Fyodor Lukyanov, një nga ekspertët më të rëndësishëm të gjeopolitikës në Rusi.

Disa komentues rusë, kanë sugjeruar me ironi që Evropa mund t’i kërkojë Moskës “garanci sigurie” kundër SHBA-së. Duke qenë se evropianët janë tani financuesit kryesorë të Ukrainës, por edhe kritikët më të zëshëm të përpjekjeve të Trumpit për ta detyruar Ukrainën të pranojë një paqe të padrejtë, Moska nuk e fsheh kënaqësi që ata duken në krizë.

3. Lajmi i keq për Ukrainën

Së fundi, e gjithë kjo është lajm i keq për Ukrainën. Media ruse po flet tani për një Volodimir Zelenski të tronditur, i cili po përpiqet të kënaqë të dyja palët, ndërsa lutet që bota të mos harrojë gjendjen e vendit të tij, ku sulmet me raketa e kanë lënë gjysmën e Kievit pa dritë dhe ngrohje në temperatura -10°C.

Edhe pse vendimi i Trumpit për Grenlandën duket se e ka kapur Kremlinin në befasi, vitin e kaluar Putini e inkurajoi këtë ide, duke krijuar një justifikim historik për aneksimin amerikan të ngjashëm me arsyetimin e tij për pushtimin e Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov e ka nxitur Shtëpinë e Bardhë duke thënë se “zgjidhja e çështjes së Grenlandës, do ta fuste Trumpin në histori”.

“Helmi” afatgjatë

Rusët besojnë se Trump nuk do të arrijë deri në përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Grenlandën. Por në një farë mënyre, kjo është edhe më mirë për ta. Siç e tha një analist rus: “Nëse marinsat do të hynin dhe do të merrnin me forcë Grenlandën, evropianët do të tmerroheshin për një javë, por pastaj do të mësoheshin dhe do të përshtateshin si vasalë të Trumpit”.

Shumë më e dobishme për Moskën, është “një mosmarrëveshje e gjatë që i helmon marrëdhëniet transatlantike” dhe i lë të gjithë të ndihen të tradhtuar. Udhëheqësit  evropianë kishin shpresuar që Forumi i Davosit do të ishte një mundësi për t’u bashkuar kundër Rusisë. Por për kënaqësinë e Moskës, tani gjithçka po rrotullohet rreth Grenlandës./ Përshtati "Pamfleti" Nga  “The Intelligent Paper”

Shënim:Mark Galeotti, historian dhe profesor i specializuar mbi Rusinë dhe çështjet e sigurisë.

groenlanda rusia putin-trump

Lini një Përgjigje