
Autoritetet iraniane dhe ruse kanë deklaruar se një sulm është regjistruar një ditë më parë në një zonë pranë termocentralit bërthamor të Bushehrit, në Gjirin Persik, pa shkaktuar çlirim të materialeve radioaktive apo lëndime në personel.
Sipas Alexey Likhachev, drejtor ekzekutiv i kompanisë shtetërore ruse të energjisë bërthamore “Rosatom”, sulmi ka goditur një zonë ngjitur me infrastrukturën ndihmëse të centralit.
“Një sulm goditi zonën pranë ndërtesës së shërbimit meteorologjik, që ndodhet brenda kompleksit të termocentralit bërthamor të Bushehrit, pranë njësisë operative. Nuk pati viktima mes personelit të Rosatom dhe situata e rrezatimit mbetet normale”, deklaroi Likhachev, i cituar nga agjencia ruse Tass.
Edhe pala iraniane ka konfirmuar se nuk janë regjistruar pasoja në aspektin bërthamor apo dëme në funksionimin e centralit.
Ngjarja vjen në një kontekst tensionesh të larta në rajon, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çdo sulm pranë objekteve bërthamore përbën një rrezik serioz për sigurinë rajonale dhe globale, për shkak të mundësisë së përhapjes së rrezatimit.
Lini një Përgjigje