TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Korrik 2026, 12:23

Braho: Në SPAK nuk ka dosje "të vdekura", në hetim edhe pasuritë e krimit jashtë Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Braho: Në SPAK nuk ka dosje "të vdekura", në hetim edhe
Braho

Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk e konsideron asnjë dosje të pezulluar si të mbyllur përfundimisht, duke theksuar se hetimet rifillojnë sa herë që sigurohen prova të reja ose krijohen mundësi për identifikimin e autorëve.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho u shpreh se edhe në rastet kur një person shpallet në kërkim, procedimi penal nuk ndërpritet dhe hetimet vazhdojnë.

“Nëse një person është në kërkim, çështja vazhdon të hetohet. Nuk kemi ndonjë të dhënë të saktë për numrin, por ka edhe çështje të kthyera pas pezullimit të një çështjeje. Nuk mund të quhet asnjë çështje ‘e vdekur’. Krimi i organizuar shpeshherë ka autorë që nuk janë të identifikuar”, tha ai.

Braho u ndal edhe te hetimet financiare, duke bërë të ditur se SPAK po monitoron me vëmendje pasuritë që burojnë nga aktiviteti kriminal jashtë Shqipërisë.

Sipas tij, vitet e fundit është vërejtur një ndryshim në mënyrën se si grupet kriminale administrojnë fitimet e paligjshme, duke shmangur transferimin e tyre në Shqipëri dhe duke i shpërndarë në vende të tjera.

“Për pasuritë jashtë vendit, trendi i shtetasve shqiptarë të përfshirë me aktivitet jashtë vendit është që produktet e veprës penale t’i sjellin në Shqipëri. Së fundmi kanë nisur t’i shpërndajnë, të mos i sjellin në Shqipëri. E tillë është një pasuri 12.7 milionë euro, që është një shembull. Ka edhe raste të tjera, por nuk mund të flas për momentin”, deklaroi kreu i SPAK.

braho spak dosje te vdekura

Lini një Përgjigje