TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Shkurt 2026, 08:10

Të fortët fitojnë, të dobëtit shesin; Trump trondit Europën, por jo xhepat e amerikanëve

Shkruar nga Pamfleti

Në këtë kuadër, Europa rrezikon të mbetet e shtrydhur, si një “specie barngrënëse në një botë gjithnjë e më shumë të dominuar nga mishngrënësit”.

Të fortët fitojnë, të dobëtit shesin; Trump trondit
Donald Trump

Raportet me tone kritike ndaj Wall Street janë shtuar ndjeshëm pas daljeve të fundit publike të Donald Trump. Megjithatë, faktet tregojnë se nuk kanë qenë tregjet amerikane ato që janë ndëshkuar më fort nga paqëndrueshmëria, por bursat e Europës.

“Sell America” (Shit Amerikën) sugjeronte një artikull i Reuters në fund të janarit. Logjika ishte e qartë: pas kërcënimeve të reja të Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve europiane, sidomos atyre që kishin dërguar trupa në Groenlandë, situata mund të ngjante me atë të të ashtuquajturit “Dita e Çlirimit” në prill 2025. Por ndodhi e kundërta: tregjet europiane humbën dukshëm më shumë se Wall Street.Kjo tregon se bursa amerikane priret të shohë anë pozitive në politikat ekonomike dhe neokoloniale të presidentit të saj. Një arsye tjetër është mbështetja që indeksi S&P 500 ka marrë nga investitorët e vegjël, të cilët tregohen më pak të ndjeshëm ndaj rreziqeve të asaj që quhet “doktrina Donroe”. Optimzmi i tyre, i matur nga indeksi i besimit të investitorëve individualë (AAII), ka arritur nivelet më të larta të katër viteve të fundit.

Optimzmi dominon frikën
Nëse indeksi VIX konsiderohet si matës i frikës së investitorëve, atëherë tregjet duken relativisht të qeta: ai është rritur në 20 pikë, rreth gjashtë pikë më poshtë se kulmi i tetorit të kaluar, kur nuk ndodhi asnjë ngjarje madhore. Renditja e re globale që Trump synon të ndërtojë, e shoqëruar me stimuj, ulje taksash dhe ndoshta politika monetare shumë lehtësuese për përdorim të brendshëm, po shihet me simpati nga Wall Street. Optimzmi mbetet i lartë edhe mes investitorëve institucionalë.

Sipas sondazhit të Bank of America për muajin janar, një “shumicë e gjerë” e tyre ka zgjedhur të mos mbrohet nga një rënie e mundshme e tregut në tre muajt e ardhshëm, duke shfaqur një vetëbesim që nuk ishte parë që nga korriku i vitit 2021. Ndërkohë, në tregun e obligacioneve – ku investitorët kanë horizonte më afatgjata – janë vërejtur shitje: rendimenti i obligacionit 10-vjeçar amerikan është rritur me 18 pikë bazë, në 4.3%, niveli më i lartë që nga gushti. Në krahasim, presioni mbi Bund-in gjerman apo BTP-të italiane ka qenë minimal.

Dobësimi i dollarit
Teza “Sell America” është shfaqur më qartë në tregun e valutave. Dollari është dobësuar ndaj euros dhe veçanërisht ndaj frangës zvicerane, e konsideruar aset strehë. Një sjellje e ngjashme është vërejtur edhe te ari dhe argjendi, të cilat janë rritur me 6–8% brenda vetëm tre seancave, këtë herë më shumë si mbrojtje sesa si spekulim.

Sipas Wall Street Journal, bursat nuk po e marrin seriozisht skenarin e një katastrofe gjeopolitike dhe ekonomike. Arsyeja është e shumëfishtë: një pjesë e investitorëve është mësuar me stilin e Trump, të tjerë besojnë se kërcënimet e tij janë kryesisht verbale, disa mendojnë se Gjykata Supreme do t’i bllokojë ambiciet e tij ekspansioniste dhe tarifat e përgjithshme, ndërsa të tjerë llogarisin në kundërshtimin e disa ligjvënësve republikanë për të penguar ndërhyrjen e Shtëpisë së Bardhë mbi Rezervën Federale.

Në mënyrë paradoksale, si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët e Trump bien dakord se bursa duhet të rritet, falë fitimeve në rritje, një ekonomie dinamike, subvencioneve fiskale dhe pritshmërive për norma interesi më të ulëta. Rreziku që ky kombinim të gjenerojë inflacion, rritje të deficitit dhe të borxhit publik, pothuajse nuk merret parasysh.

Situatë e më e errët për Europën

Më kritike është analiza e UniCredit, e titulluar qartë: “Ngritja e perandorisë grabitqare amerikane”. Sipas autorit Edoardo Campanella, “epoka e hegjemonisë dashamirëse amerikane ka përfunduar”. Ajo që mbizotëron sot nuk është ideologjia, por merkantilizmi, me synimin për të nxjerrë përfitime ekonomike dhe strategjike nga vende të zgjedhura sipas afërsisë gjeografike, peshës gjeopolitike apo burimeve natyrore.

Në këtë kuadër, Europa rrezikon të mbetet e shtrydhur, si një “specie barngrënëse në një botë gjithnjë e më shumë të dominuar nga mishngrënësit”. Deutsche Bank vëren se rreth 8 mijë miliardë dollarë në obligacione dhe aksione amerikane ndodhen në portofolët e investitorëve europianë, një peshë që teorikisht mund të ndikojë mbi rendimentet e borxhit amerikan dhe inflacionin. Sipas Financial Times, investitorët europianë zotërojnë rreth 3 mijë miliardë dollarë në obligacione të Thesarit amerikan, më shumë se Kina.

Vetë kërcënimi për të shitur një pjesë të tyre ose për të mos blerë më tej do të mjaftonte për të rritur rendimentet e Treasury-ve, duke rënduar deficitit federal, i cili tashmë ndodhet rreth 7% të PBB-së. Trump ka pranuar se çdo rritje me një pikë përqindjeje e normave të interesit i kushton buxhetit amerikan rreth 360 miliardë dollarë në vit.

Për momentin, shpresa mbetet që Kongresi dhe Gjykata Supreme të frenojnë politikat më ekstreme të Trump. Por, siç paralajmëroi në Davos kryeministri kanadez Mark Carney, duke parafrazuar Tukididin, “renditja e bazuar në rregulla duket se po zbehet: të fortët bëjnë çfarë munden, ndërsa të dobëtit detyrohen të durojnë çfarë u mbetet”./ Përshtatur nga Corrire della Sera

trump trondit europën

Lini një Përgjigje