
Sipas autoriteteve turke, autori i dyshuar është një nxënës i klasës së tetë, i cili dyshohet se ka marrë armën e babait të tij, ish-punonjës i policisë.
Një tjetër sulm i armatosur ka ndodhur në një shkollë në Turqi, ku si pasojë kanë humbur jetën katër persona, mes tyre një mësues dhe tre nxënës.
Sipas autoriteteve turke, autori i dyshuar është një nxënës i klasës së tetë, i cili dyshohet se ka marrë armën e babait të tij, ish-punonjës i policisë. Ai kishte me vete disa armë dhe municione dhe ka qëlluar në dy klasa të ndryshme.
Sipas mediave turke, sulmuesi fillimisht qëlloi në ajër në oborrin e shkollës, më pas hyri brenda shkollës dhe vazhdoi të qëllonte.
Pas raportimeve për të shtëna me armë, në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie dhe ekipe emergjence. Autoritetet konfirmuan viktimat, ndërsa rreth 20 persona të tjerë raportohen të plagosur.
???? #CNNTÜRK TV CANLI YAYIN https://t.co/ZgOfex7RH8
— CNN TÜRK (@cnnturk) April 15, 2026
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se është hapur menjëherë hetim për ngjarjen, ndërsa disa prokurorë janë angazhuar për zbardhjen e plotë të rrethanave. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, është vendosur edhe ndalim publikimi për detaje të hetimit.
Ndërkohë, disa ministra të qeverisë turke janë nisur drejt zonës për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar reagimin institucional.
Kujtojmë se një tjetër sulm i armatosur në një shkollë ndodhi ditën e djeshme në jug të Turqisë, ku një person i hyri në një shkollë të mesme dhe plagosi dhjëtra persona.
Sipas mediave lokale, nga të shtënat ditën e djeshme u plagosën të paktën 16 persona, mes tyre edhe nxënës.
Sipas mediave turke, autori i dyshuar i sulmit të djeshëm është një 19-vjeçar, i identifikuar si Ömer Ket, i cili dyshohet se ka qenë ish-nxënës i shkollës. Ai përdori një armë gjahu dhe u neutralizua nga forcat e rendit.
Lini një Përgjigje