TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Qershor 2025, 09:05

Trump e fitoi luftën kundër Iranit, por rrezikon të gabojë me Putinin

Shkruar nga Carlo Panella

Trump e fitoi luftën kundër Iranit, por rrezikon të gabojë

Pas disfatës ushtarake të Teheranit, presidenti amerikan mund ta përdorë këtë sukses, për të ndjekur një mirëkuptim të brishtë dhe të rrezikshëm me diktatorin rus.

Kllounë të shëmtuar! Nëse konteksti nuk do të ishte tragjik, kështu duhet të përkufizoheshin Pasdaranët dhe Ajatollahët në pushtet në Iran. Në 12 ditë lufte me Izraelin dhe në 2 ditë lufte me Donald Trump, regjimi iranian tregoi, siç do të kishte thënë dikur Mao Ce Duni, se është një “tigër prej letre” i mjerë, i aftë vetëm për të bërë kërcënime të forta dhe masakruar popullin e tij, por krejtësisht i paaftë për të mbrojtur projektet e veta apokaliptike.

Dëmi i kësaj lufte është i pamëshirshëm për regjimin e Teheranit: asnjë objektiv ushtarak apo politik, nuk u arrit nga 400 ose më shumë raketat e lëshuara nga Pasdaran kundër Izraelit, që goditën vetëm ndërtesa civile, duke shkaktuar 25 viktima, teka 90 për qind tyre u neutralizuan që në ajër nga sistemi mbrojtës i Izraelit.

Nga ana tjetër, të gjitha bazat e programit të saj bërthamor janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, edhe pse në lidhje me këtë, për Teheranin ka lajme disi më ngushëlluese. Udhëheqësit e Pasdaran dhe shkencëtarët që drejtuan programin bërthamor janë vrarë, komanda e përgjithshme e Pasdaran është shkatërruar, të gjitha strukturat kundërajrore, e gjithë flota ajrore dhe një pjesë e madhe e bazave të lëshimit të raketave janë asgjësuar.

Për më tepër, ndjenja e disfatës totale të pësuar u transmetua nga udhëheqja iraniane, kur u kujdes të paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për raketat që do të lëshonin drejt bazës së tyre ushtarake Al Udeid, në Doha të Katarit.

Në konfidencë, ata i shpjeguan amerikanëve se po i lëshonin ato vetëm sa për shfaqje, për të bërë bujë, pa pasur asnjë qëllim për të shkaktuar dëme, por vetëm për të mbyllur lojën dhe për të qenë në gjendje të diskutojnë në një tryezë negociatash kushtet e dorëzimit, të cilat janë të detyruar t’i pranojnë, edhe pse nuk e thonë këtë në publik.

Me një ironi të fshehtë, për të nënvizuar pafuqinë dhe trukun e vogël të Iranit, Shtëpia e Bardhë i falënderoi iranianët që i paralajmëruan në kohë, që të kapnin të gjitha raketat dhe ta bënin bazën ushtarake plotësisht të sigurt.

Njëherazi, në frontin e brendshëm, teokratët meskinë por të pafuqishëm, kanë filluar tingujt e daulleve dhe garën për të shqiptuar frazat më kumbuese për të shpallur fabulën e fitores së tyre: “Ne i kemi shkaktuar një përgjigje poshtëruese armikut, duke e detyruar të pendohet!”.

Një tjetër farsë kllounësh, që synon të ngushëllojë bazën e konsensusit të regjimit - 20 deri në tridhjetë për qind e popullsisë - e cila jeton si parazit nga fitimet e saj, dhe që doli menjëherë në rrugët e Teheranit për të festuar fitoren. Një spektakël i dhimbshëm për dinjitetin e një populli mijëvjeçar.

Ndërkohë në Izrael, aftësia e padyshimtë dhe fenomenale për të asgjësuar armikun, duke goditur vetëm objektiva ushtarake, me pak vdekje të pashmangshme në civilë, u komentua edhe nga të gjithë udhëheqësit e opozitës me disa fraza të matura dhe jo arrogante.

Tani, pasi konsolidimit të armëpushimit, nis faza e negociatave. Pastaj, fillon faza e ndryshimit të humorit, e frymëzuar nga skena mediatike e një Trumpi të forcuar nga një fitore të padyshimtë në të gjitha frontet e Lindjes së Mesme. Vetëm fati, e kanë bërë presidentin më të keq në historinë amerikane autorin e një lufte të drejtë dhe fitimtare.

Dhe kjo vetëm sepse është kombinuar me aftësinë e jashtëzakonshme për luftime, luftë dhe sakrificë të popullit të Izraelit dhe ka ndryshuar për mirë të gjitha strukturat dhe ekuilibrat e Lindjes së Mesme. Deklaratat e para të presidentit amerikan, shkojnë në drejtimin e duhur: “Ata nuk do të kenë pasurim të uraniumit dhe as armë bërthamore!”.

Megjithatë, ekziston edhe një faktor i panjohur jo i vogël: tundimi i Trump për ta përdorur këtë negociatë në Lindjen e Mesme - në të cilën ai është padyshim fituesi në të gjitha nivelet - për të rikuperuar dhe konsoliduar marrëdhënien e afërt me Putin drejt një marrëveshje mbi luftën në Ukrainë.

Madje ai ka nisur tashmë të lëvizë në këtë drejtim, duke deklaruar - në mohim të plotë të asaj që kishte deklaruar vetë 24 orë më parë - se “nuk dëshiron një ndryshim regjimi në Teheran, pasi do të kishte kaos”. Ky është dhe rreziku më i madh.

Në vitin 1938, kryeministri britanik Neville Chamberlain nënshkroi në Mynih një marrëveshje me Adolf Hitlerin, që favorizonte planet e luftës së këtij të fundit, pasi nuk e kuptonte natyrën djallëzore dhe shumë agresive të udhëheqësit gjerman. Ai besonte se po përballej me udhëheqësin e një fuqie normale dhe me vullnete ekspansioniste normale.

Nuk dyshonte aspak për planin e turpshëm djallëzor të nazizmit. Sot Donald Trump rrezikon të bëjë të njëjtin gabim si Chamberlain. Ai nuk e kupton natyrën agresive, fanatizmin rusomadh të Vladimir Putinit. Ai e konsideron atë një udhëheqës normal të një kombi normal. Por ky nuk është rasti.

Pra, ka rrezik që Trump të pranojë një përfundim të negociatave me Iranin, i cili e shpërblen aleatin shumë të ngushtë dhe të çmuar të Moskës. S’duhet ta harrojmë rolin e domosdoshëm që luajnë dronët iranianë në luftën e Moskës kundër Kievit. Një skenar i tmerrshëm, i cili nuk mund të përjashtohet duke e njohur presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Linkiesta”

Lini një Përgjigje