
Presidenti amerikan me tone të forta kundër OKB-së, emigracionit, Rusisë, Iranit dhe Europës së “pushtuar”
Presidenti amerikan Donald Trump, tashmë në vitin e parë të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, mbajti një fjalim të pazakontë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thyer çdo normë të retorikës diplomatike dhe duke e kthyer foltoren globale në një skenë personale të lavdërimeve dhe akuzave të drejtpërdrejta.
Me një ton më shumë populist sesa diplomatik, Trump deklaroi se kishte ndalur shtatë luftëra brenda shtatë muajve të parë të mandatit, kritikoi hapur emigracionin global, vendet e NATO-s që blejnë naftë nga Rusia, dhe akuzoi vetë OKB-në se “po financon pushtimin e Perëndimit”.
“Që prej fjalës sime të fundit këtu, paqja që ndërtova në dy kontinente është shkatërruar. Luftërat që ndalova janë ringjallur, dhe bota ndodhet në krizën më të madhe të kohëve moderne”, deklaroi Trump, mes duartrokitjeve të shpërndara dhe reagimeve të përziera.
Me humor sarkastik, Trump ironizoi për përvojën e tij në selinë e OKB-së: “Gjithçka që më dha kjo organizatë ishte një shkallë që u bllokua në gjysmë dhe një teleprompter që nuk punoi. Nëse Zonja e Parë nuk do ishte në formë të shkëlqyer, do të kishte rënë”.
"Unë ndalova 7 luftëra, në 7 muaj, pa ndihmën tuaj"
Presidenti amerikan pretendoi se kishte ndalur shtatë konflikte të mëdha globale në vetëm shtatë muaj:
Kamboxhia - Tajlandë; Kosovë - Serbi; Kongo - Ruandë; Pakistan - Indi; Izrael - Iran; Egjipt - Etiopi dheArmeni - Azerbajxhan
“Askush nuk më ndihmoi. OKB-ja nuk më telefonoi kurrë. Dhe asnjë lider botëror nuk ka bërë kurrë atë që bëra unë”, tha Trump, duke e paraqitur veten si “arkitektin e paqes që nuk u vlerësua”.
Çmimi Nobel
I pyetur mbi zërat për çmimin Nobel për Paqe, Trump deklaroi: “Po, thonë se e meritoj për çdo marrëveshje që arrita. Por çmimi im i vërtetë janë jetët që shpëtuan, djemtë dhe vajzat që sot janë me prindërit e tyre, e jo në varre lufte”.
Sulmi ndaj Iranit
Duke folur mbi kërcënimet bërthamore, Trump e vuri Iranin në qendër të akuzës: “Nuk mund të lejojmë sponsorin numër një të terrorizmit të ketë armët më të rrezikshme në botë”.
Ai zbuloi detaje për një operacion ushtarak të koduar “Midnight Hammer”, gjatë të cilit bombarduesit amerikanë B-2 shkatërruan bazat bërthamore iraniane.
Gaza dhe Palestina: Lironi pengjet tani, jo në grupe!
Lidhur me luftën në Gaza, Trump e kritikoi fort idenë e njohjes së një shteti palestinez në këtë moment, duke e cilësuar si “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”.
“Zgjidhja është e qartë: lironi pengjet menjëherë, jo me radhë, por të gjithë njëherësh. Kjo luftë duhet ndalur – tani”, insistoi ai.
Do e ndal luftën me tarifa, nëse Europa ndalon të blejë naftën ruse
Trump shpërtheu edhe ndaj vendeve të NATO-s që, sipas tij, po “turpërojnë veten duke blerë naftë nga Rusia ndërkohë që pretendojnë se luftojnë kundër saj”.
Ai paralajmëroi tarifa të rënda ekonomike ndaj Moskës, nëse aleatët europianë ndjekin shembullin amerikan.
OKB po financon pushtimin e vendeve tona përmes emigracionit
Një nga pjesët më të forta të fjalimit ishte kritika e hapur ndaj emigracionit të pakontrolluar dhe rolit të OKB-së:
“Po e shkatërroni botën perëndimore. Po financoni ushqim, transport dhe karta debiti për emigrantët e paligjshëm. E kujt është kjo lëvizje, nëse jo një pushtim i sponsorizuar?”
Sipas Trump, “Europa është në rrezik serioz ekzistencial”, duke e përshkruar si të “pushtuar nga valët e emigrantëve të paligjshëm”, që sipas tij, “askush nuk po i ndalon”.
Sulm i drejtpërdrejtë ndaj Londrës dhe Sadiq Khan:
Trump nuk la pa përmendur as Londrën dhe kryebashkiakun Sadiq Khan, të cilin e quajti “ndër më të këqinjtë në botë”.
Ai akuzoi se qyteti po shkon drejt zbatimit të “Ligjit të Sheriatit”, një deklaratë e pasaktë dhe pa prova, por e përdorur për të përforcuar narrativën e tij kundër emigracionit.
Një fjalim me tone të forta nacionaliste, populiste dhe të ngarkuara emocionalisht
Fjalimi i Trump në OKB riktheu retorikën klasike të tij: “Unë jam shpëtimtari, bota është kundër meje, por historia do më japë të drejtë”.
Duke kombinuar ndjeshmërinë populiste me arrogancën karakteristike, ai sulmoi jo vetëm armiqtë tradicionalë të Amerikës, por edhe aleatët dhe vetë institucionet ndërkombëtare.
Në këtë arenë diplomatike, Trump nuk dha vetëm një fjalim, dha një sinjal të qartë për vijën e tij të politikës së jashtme: “Amerika e para, edhe nëse bota digjet.” /Pamfleti
Nje delirant qe per fat te keq drejton SHBA ne