TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Janar 2026, 16:09

Trump-Putin, negociata për ‘ndarjen’ e Ballkanit!

Shkruar nga Pamfleti
Trump-Putin, negociata për ‘ndarjen’ e Ballkanit!
Trump-Putin duke ndarë Ballkanin

Dy autokratët e mëdhenj të shekullit po projektojnë një rend të ri botëror, ku kufijtë nuk respektohen, por negociohen. Ballkani rrezikon të kthehet në një tryezë pazari mes dy superfuqive, ndërsa heshtja e Europës dhe apatia e rajonit po i hapin rrugën një krize të re.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka folur sot për atë që është paralajmëruar prej ditësh: një pazar i hapur Rusi-SHBA për ndarjen e Ballkanit.

Takimi Trump–Putin në Alaskë duket se nuk ishte vetëm për Ukrainën. Dy liderët duket se u dakordësuan për të ‘qeverisur’ botën. Trump sulmoi Venezuelën dhe Putin nuk tha asnjë gjysmë fjale, edhe pse i kishte dhënë garanci Maduros. Trump kërkon të hyjë në Groenlandë dhe Moska i ka dhënë dritën jeshile sot.

Groenlanda, në parim, nuk është pjesë natyrale e Danimarkës, apo jo? Nuk ishte as pjesë e Norvegjisë dhe as e Danimarkës. Është një pushtim kolonial. Fakti që banorët janë tani të mësuar me këtë dhe ndihen rehat është çështje tjetër”, u shpreh Lavrov. Ndërkohë, Rusia këmbëngul te territoret e pushtuara në Ukrainë. Por teksa secila po merr ato që synon, duket se sytë janë drejtuar në Ballkan.

Lavrov bëri sot një deklaratë të frikshme, ku duket se SHBA dhe Rusia janë duke negociuar për “copëtimin” e rajonit.

Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Dhe jo rastësisht, pak kohë më parë, Trump i hoqi sanksionet liderit boshnjak Milorad Dodik, një prej njerëzve më pro rusë në Ballkan.

Këto zhvillime nuk ndodhin rastësisht. Janë pjesë e një strategjie globale që po shtyhet nga boshti Trump–Putin, për të ndarë botën në sfera influence, ashtu si në stilin e Luftës së Ftohtë, por me një brutalitet të ri. Trump është politikani i vetëm amerikan që nuk e fsheh simpatinë për liderët autoritarë. Ndërkohë, Putini, i dërrmuar në Ukrainë, po kërkon me çdo kusht një fitore strategjike në Ballkan, ku ka aleatë të bindur dhe një histori të gjatë ndikimi.

Ndërsa BE endet me ngadalësi dhe e ngatërruar në burokraci, SHBA-ja e udhëhequr nga Trump po ofron tavolina negociatash për territore. Ballkani është në rrezik të përsëritjes së viteve ‘90, por këtë herë me një përzierje të re: një Amerikë që nuk pengon projektet separatiste, por mund t’i sponsorizojë, dhe një Rusi që kërkon një korridor destabiliteti për të shkaktuar krizë në derën e Europës. /Pamfleti

 

trump putin

Lini një Përgjigje