61-vjeçari serb Ljubiša Karović ka rrëfyer për herë të parë momentet dramatike që përjetoi gjatë një fluturimi të kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë, kur dritarja pranë vendit të tij u thye, duke bërë që një pjesë e trupit të tij të tërhiqej jashtë kabinës së avionit.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, më 10 korrik, në fluturimin FR1879. Sipas dëshmive, pak minuta pas ngritjes në ajër u dëgjua një zhurmë e fortë, pasi një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë së cilës ishte ulur 61-vjeçari.
Përplasja shkatërroi xhamin, ndërsa dekompresimi i menjëhershëm bëri që pasagjeri të tërhiqej drejt hapjes, me kokën dhe shpatullat jashtë avionit, në një lartësi prej rreth 20 mijë këmbësh. Bashkëshortja e tij, së bashku me disa pasagjerë të tjerë, arritën ta mbanin dhe më pas ta tërhiqnin sërish brenda avionit.
Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, Karović përshkroi përjetimin e tij.
"Po flija. Pas pak më zgjoi një zhurmë shumë e fortë, sikur të kishte shpërthyer një bombë. Për një çast isha i vetëdijshëm, por nuk mbaj mend çfarë ndodhi më pas. Kur erdha në vete, isha i mbuluar me gjak. Më rridhte gjak nga fytyra dhe duart. Sa herë mbyll sytë, më rikthehen pamjet e atyre minutave. Është një makth që nuk mund ta përshkruaj me fjalë."
Si pasojë e incidentit, ai pësoi djegie në një pjesë të krahut të djathtë dhe në shpinë. Përkohësisht iu paralizua edhe ana e djathtë e trupit, ndërsa veshi dhe syri i djathtë kanë pësuar dëmtime të pjesshme. Sipas tij, për një periudhë nuk ndiente asgjë.
"Jeta ime është përmbysur"
61-vjeçari tregon se para aksidentit bënte një jetë aktive dhe udhëtonte shpesh me avion, por tashmë gjithçka ka ndryshuar.
"Tani gjithçka më shqetëson. Zhurmat më bezdisin, nuk mund të ec normalisht në rrugë, çdo gjë më pengon. Psikologjikisht kam arritur në fund. Kjo ka ndikuar si në punën time, ashtu edhe në familje. Çfarë do të ndodhë tani? Gjithçka varej nga unë, isha 'motori' i familjes. Jeta ime është përmbysur plotësisht. Nuk arrij të përqendrohem në asgjë. Thjesht nuk funksionoj më si më parë", u shpreh i plagosuri.
Ai pranoi se nuk e imagjinon më veten të hipë në një avion.
"As që e mendoj të udhëtoj sërish me avion. Sa herë dëgjoj zhurmën e një avioni, më kap ankthi dhe më ngrihet temperatura. Nuk jam aspak mirë", tha ai.
Sipas raportimit të Bild, mbetet ende e paqartë nëse 61-vjeçari do të mund të rikuperohet plotësisht. Mjekët nuk kanë vendosur ende nëse ai do t'i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale apo do të duhet të mbajë për një kohë më të gjatë mbajtësen ortopedike në qafë.
Lini një Përgjigje