
Donald Trump e ka ftuar Volodymyr Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa këmbëngul se tani varet prej tij që ta “përfundojë” dhe të sigurojë një marrëveshje mbi të ardhmen e Ukrainës. Trump dhe Zelensky zhvilluan një telefonatë të gjatë pas samitit në Alaskë midis Presidentit amerikan dhe homologut rus, Vladimir Putin, të cilën presidenti amerikan e cilësoi si "produktive".
Në një reagim në Telegram, Zelensky tha se “do të diskutoj të gjitha detajet me Presidentin Trump në Uashington të hënën. Faleminderit për ftesën.”
"Është e rëndësishme që evropianët të jenë të përfshirë në të gjitha fazat për hir të garancive të besueshme të sigurisë së bashku me Amerikën. Diskutuam sinjale pozitive nga pala amerikane në lidhje me pjesëmarrjen në garantimin e sigurisë për Ukrainën. Ne vazhdojmë të koordinojmë qëndrimet tona me të gjithë partnerët. Faleminderit të gjithëve që ndihmojnë!", tha Zelensky.
Në vijim, Presidenti ukrainas tha se "biseda me Trump ishte e gjatë dhe kuptimplotë, fillimisht kokë më kokë, dhe më pas edhe me pjesëmarrjen e udhëheqësve evropianë”.
"Në total, biseduam për më shumë se një orë e gjysmë, rreth një orë me Presidentin Trump. Ukraina konfirmon edhe një herë se është e gatshme të punojë sa më produktivisht të jetë e mundur për hir të paqes. Presidenti Trump më informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus, për pikat kryesore të bisedës. Është e rëndësishme që forca e Amerikës të ndikojë në zhvillimin e situatës. Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh midis Ukrainës - Amerikës – Rusisë”, tha Zelensky.

Sir Keir Starmer iu bashkua Volodymyr Zelensky-t dhe një mori udhëheqësish të NATO-s në një telefonatë me Donald Trump.
Një zëdhënës i Downing Street konfirmoi: “Këtë mëngjes, Kryeministri iu bashkua një telefonate me Presidentin Trump, Presidentin Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë për t'u përditësuar mbi diskutimet në Alaska mbrëmë.”
"Ai do të flasë përsëri me udhëheqësit evropianë së shpejti", thuhet në njoftimin zyrtar. Në thirrje morën pjesë udhëheqës nga Italia, Franca, Finlanda, Gjermania dhe Polonia.
Mark Rutte i NATO-s dhe Ursula von der Leyen e Komisionit Evropian ishin gjithashtu të përfshirë.
Takimi Trump-Putin në Alaskë zgjati për rreth 170 minuta. Të dy udhëheqësit tani janë kthyer në shtëpi, ndërsa Putini, zbarkoi në Moskë me avionin e tij presidencial të shoqëruar nga avionët luftarakë amerikanë F-22.
Trump u nis me Air Force One dhe u kthye në Uashington pak pas orës 7 të mëngjesit.
Ai zhvilloi një telefonatë të gjatë me Zelenskyn gjatë fluturimit, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt .
Zelensky më vonë postoi në Telegram duke thënë se do të shkojë në Uashington të hënën për t'u takuar me Trumpin.
Udhëheqësit e NATO-s u informuan gjithashtu mbi bisedimet në një telefonatë të veçantë me Trump më pas.
Presidenti i SHBA-së i kishte përshkruar bisedimet e tij me Putinin si "shumë produktive", por pranoi se "nuk kemi arritur ende atje".

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, tha Trump.
Putini u dërgoi një paralajmërim udhëheqësve evropianë si Sir Keir Starmer, duke i nxitur ata të mos e “shkatërronin” progresin e bërë në samitin historik të Alaskës.
Në një moment të çuditshëm në fund të konferencës për shtyp, Putin, duke folur në anglisht, i tha Trump "herën tjetër në Moskë”.
Në përgjigje, Trump reagoi me shaka: "mund të përballoj pak kritika për këtë."
Putini këmbënguli se ishte "sinqerisht i interesuar" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë .
Por në vendin e tij, trupat ruse vazhduan bombardimet e tyre të egra me mbi 85 dronë sulmues dhe një raketë balistike të qëlluar gjatë natës, sipas Forcave Ajrore të Kievit.
Kjo vjen pasi një bombardues i fshehtë B-2 i shoqëruar nga katër avionë luftarakë F-35 u shfaq, ndërsa dy udhëheqësit shtrënguan duart në pistën e Bazës së Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage të Alaskës .

Putini shikonte ndërsa avioni i aftë të transportojë armë bërthamore fluturonte sipër kokës, një sinjal i qartë nga Uashingtoni se presidenti amerikan po takohej me udhëheqësin rus sipas kushteve të tij, dhe me fuqi të madhe zjarri në qiell.
Shëtitja e Trump në pistë e çoi Putinin edhe nëpër katër avionë luftarakë të parkuar F-22 Raptor, skena hapëse e një samiti me rreziqe të larta, i cilësuar si një pikë kthese e mundshme në luftën e Ukrainës .
Avioni Air Force One i Trump u ul në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson vetëm 20 minuta para se të mbërrinte avioni presidencial i Kremlinit që transportonte Putinin.
Presidenti amerikan u pa duke duartrokitur tiranin rus ndërsa ai i afrohej, ndërsa Vlad i qeshur i bëri shenjë me gishtin e madh lart. /Përshtatur nga The Sun/
Lini një Përgjigje