
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka miratuar tekstin e një projektligji që garanton pavarësinë e dy institucioneve kryesore anti-korrupsion në vend, vetëm pak ditë pas protestave masive kundër ndryshimeve ligjore që kufizonin kompetencat e tyre.
Projektligji, sipas Zelensky-t, synon të mbrojë Byro-në Kombëtare Anti-Korrupsion (NABU) dhe Prokurorinë e Specializuar Anti-Korrupsion (SAP) nga ndikimi rus dhe ndërhyrjet politike. “Teksti është i balancuar”, tha ai, pa dhënë detaje konkrete.
Ligji i miratuar më herët këtë javë i kalonte këto dy institucione nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm, i emëruar nga presidenti, një veprim që Zelensky fillimisht e justifikoi si mbrojtje ndaj ndikimit rus, pas një operacioni ku u arrestuan persona të dyshuar si spiunë rusë brenda agjencisë.
Ky zhvillim shkaktoi protestat më të mëdha në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022. Mijëra qytetarë dolën në rrugë me pankarta ku kërkohej veto ndaj ligjit dhe ruajtje e pavarësisë së institucioneve anti-korrupsion.
Ndërkohë, partnerët perëndimorë të Ukrainës shprehën shqetësim serioz, duke paralajmëruar se çdo cenim i luftës kundër korrupsionit rrezikon procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Komisioni Europian, që e konsideron shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit si kushte bazë të integrimit, e përshëndeti vendimin e Kievit për rishikim të ligjit.
Deputeti opozitar Oleksiy Goncharenko reagoi me ironi: “Së pari ia heqim pavarësinë, pastaj themi se duhet ta garantojmë. Pse u desh gjithë kjo?”.
Zelensky nuk i referohej drejtpërdrejt protestave në mesazhin e tij, por tha se është e rëndësishme “të respektojmë qëndrimin e të gjithë ukrainasve dhe t’i jemi mirënjohës kujtdo që qëndron pranë Ukrainës”.
Lini një Përgjigje