
Kryeministri i zgjedhur i Hungarisë, Péter Magyar, synon të lirojë mbi 30 miliardë euro të ngrira nga Brukseli për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës...
Komisioni Europian po dërgon zyrtarë në Budapest për të nisur negociatat me kryeministrin e zgjedhur të Hungarisë, Péter Magyar, për zhbllokimin e miliarda eurove fonde të BE-së për Hungarinë. Delegacioni i Komisionit do të takohet të premten me përfaqësues të partisë Tisza, tha për Politico zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho.
Takimi do të zhvillohet 5 ditë pasi Péter Magyar i dha fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbánit në zgjedhjet parlamentare të së dielës, si edhe disa javë para se qeveria e re të pritet të marrë detyrën.
Orbán dhe ministrat e tij do të qëndrojnë në pushtet me kompetenca të kufizuara deri të paktën më 5 maj. Fitorja e thellë e Magyarit i ka dhënë partisë Tisza një shumicë të cilësuar në Parlament, duke i mundësuar miratimin e reformave të gjera për rivendosjen e pavarësisë së gjyqësorit, lirisë akademike dhe pluralizmit mediatik, në përmbysje të viteve të prapësimit demokratik.
Objektivi kryesor i kryeministrit të zgjedhur është të zhbllokojë më shumë se 30 miliardë euro fonde të BE-së, të ngrira nga Brukseli për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës. Ai përballet me presion të veçantë për të liruar rreth 10 miliardë euro nga fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë Covid-19, të cilat skadojnë në fund të gushtit të këtij viti.
Takimi në Budapest vjen pas një bisede telefonike mes presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Magyarit të martën, gjatë së cilës të dy diskutuan “prioritetet imediate”, siç shkroi kreu i Komisionit në platformën X.
“Duhet punë e shpejtë për të bërë, rikthyer, rreshtuar dhe reformuar,” shkroi ajo.
“Të rikthejmë shtetin e së drejtës. Të rreshtohemi me vlerat tona të përbashkëta europiane. Dhe të reformojmë, për të zhbllokuar mundësitë që ofrojnë investimet europiane”, theksoi ajo.
Pas telefonatës, Magyar tha se të dy palët “ranë dakord që fondet e BE-së të destinuara për popullin hungarez” duhet të zhbllokohen dhe se “Komisioni do të punojë ngushtë me ne për të përmbushur afatin jashtëzakonisht të ngushtë dhe për të dhënë rezultate”.
“Qeveria e re do të marrë vendimet kryesore politike për mënyrën se si do të zhbllokohen dhe investohen këto fonde, në përputhje me mandatin e qartë që dha populli hungarez të dielën e kaluar,” shtoi ai.
Lini një Përgjigje