I ftuari i mbrëmjes së sotme në podkastin “Të Pashoq” është ish-kapiteni i Forcës Detare Artur Meçollari, i cili ka folur për shumë çështje. Ai ka hedhur dritë mbi marrëveshjen e qeverisë me italianët për Pashalimanin.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama shkel një marrëveshje të arritur që në vitin 2014 me kompaninë hollandeze Damen Shipyard dhe zëvendëson bashkëpunimin me kompaninë shtetërore italiane Fincantieri, duke shkaktuar një dëm të rëndë operacional në Forcën Detare shqiptare.
Meçollari ishte i pranishëm më 5 prill 2019 në zyrën e kryeministrit Rama, bashkë me pronarin e kompanisë Damen Shipyard, kur Rama premtoi formalizimin e marrëveshjes për mirëmbajtjen e anijeve dhe rehabilitimin e kantierit të Pashalimanit. Ky premtim nuk u mbajt.
Sipas Meçollarit, kjo ishte hera e tretë që kryeministri priste realizimin e marrëveshjes. Arsyeja teknike për zgjedhjen e Damen është e qartë: 84 përqind e investimit të marinës shqiptare është teknologji hollandeze. Mirëmbajtja e certifikuar mund të bëhej vetëm nga prodhuesi. Meçellari e ilustron absurditetin e zgjedhjes alternative me një analogji të drejtpërdrejtë: “I bie që një makinë Benz ta mirëmbajë Fiati.”
Historia e bashkëpunimit me Damen ka filluar me një grant të qeverisë hollandeze prej 14.5 milionë eurosh, nga 32.4 milionë euro që kushtoi ndërtimi i të gjitha anijeve shqiptare. Granti u dha me një kusht të nënkuptuar: vazhdimi i bashkëpunimit me Damen Shipyard. Ky kusht nuk u respektua.
Në vitin 2021 nisi faza e parë e bashkëpunimit të ri, por marrëdhëniet me Damen u pezulluan sërish. Fincantieri, kompani në pronësi kryesisht shtetërore italiane, mori kontratën.
Meçellari e cilëson këtë vendim si politik, jo teknik, dhe e lidh me interesat e kryeministrit Rama në raportet e tij me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Pasojat operacionale janë konkrete dhe të matshme. Nga 180 punëtorë që kishte kantieri i Pashalimanit, sot kanë mbetur 35. Nga 80 teknikë të kualifikuar dhe të certifikuar ndërkombëtarisht, ka mbetur vetëm një. Të paktën një nga anijet e marinës shqiptare ka gjashtë vjet që del nga porti i Durrësit vetëm për qëllime fotografike, pa kapacitet real operacional. Anijet kanë kaluar deri në 12 vjet pa mirëmbajtje të rregullt.
“Rifillimi i punës do të ishte jashtëzakonisht i vështirë”, thotë Meçellari, duke vënë në dyshim nëse Fincantieri do të arrijë të riaktivizojë kantjerin në gjendjen aktuale të tij. Ndiqni podkastin në orën 21.00.
Lini një Përgjigje