Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre të zakonshëm në rrugët e Tiranës, duke vijuar aksionin e ditës së 19-të kundër qeverisë dhe klasës politike.
Qindra qytetarë janë zhvendosur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt Unazës së Vogël, përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, ndërsa më pas kanë vijuar lëvizjen drejt aksit që të nxjerr te kryqëzimi “Komunës së Parisit”.
Gjatë marshimit nuk kanë munguar thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Në kor, protestuesit kanë brohoritur: “Edi Rama o idiot, shih sa veta jemi sot”, ndërsa më pas kanë vijuar me thirrjet: “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, të shoqëruara edhe me sloganin “Edhe Sala ka mbaru, ka mbaru, ka mbaru”.
Një nga thirrjet që është përsëritur më shpesh gjatë marshimit ka qenë edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke përcjellë mesazhin që protestuesit kanë artikuluar prej ditësh se kundërshtimi i tyre nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike.
Po ashtu, gjatë lëvizjes në rrugët e kryeqytetit janë dëgjuar vazhdimisht edhe thirrjet “Ju erdhi fundi”, ndërsa protestuesit kanë vijuar marshimin nën mbikëqyrjen e forcave të policisë.
Marshimi është kthyer tashmë në një ritual të përditshëm të protestës, e cila prej 19 ditësh po mbahet në Tiranë. Edhe këtë mbrëmje, pas tubimit para Kryeministrisë, qytetarët kanë zgjedhur të vijojnë protestën në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke mbajtur të pandryshuar kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Lini një Përgjigje