TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2026, 20:35

Ish-luftëtari i UÇK-së thirrje Policisë dhe ushtrisë: Qëndroni në krah të popullit, jo të qeverisë!

Shkruar nga Pamfleti

Ish-luftëtari i UÇK-së thirrje Policisë dhe ushtrisë:

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, u bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit dhe ushtrisë që të qëndrojnë në krah të qytetarëve dhe jo të qeverisë, gjatë fjalës së mbajtur në protestën e 51-të kundër qeverisë.

Zotaj iu referua protestës së zhvilluar më herët para Kuvendit, ku protestuesit u përballën me barrikada policore. Megjithatë, ai deklaroi se, bazuar në bisedat që kishte zhvilluar me efektivë në terren, shumë prej tyre mbështesnin kauzën e protestuesve.

"I kuptoj djemtë e policisë, që realizojnë detyrën e tyre, por besoni që, nga bisedat nga afër me policë të tillë, të gjithë ishin me ne. Të gjithë janë me ne. Policia është me ne. Jam i bindur se edhe ushtria, në bazë të betimit që kanë bërë për mbrojtjen e atdheut nga çdo e keqe, është me ne," u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, ish-luftëtari i UÇK-së u shpreh se detyra e institucioneve të sigurisë është të mbrojnë interesin e vendit dhe të qytetarëve.

"Atdheu nuk mbrohet duke numëruar protestuesit në shesh. Atdheu mbrohet kur kauza është e drejtë. Të mbrosh atdheun nga tradhtia që bën kryeministri Edi Rama dhe nga vjedhja e tokave të qytetarëve është detyrë mbi detyrat," deklaroi Zotaj.

Ai falenderoi efektivët e policisë për mënyrën se si u sollën gjatë protestës dhe u kërkoi të vijojnë të qëndrojnë pranë qytetarëve.

"Faleminderit, vazhdoni të qëndroni krah popullit, të silleni mirë me popullin, se populli do t'jua dijë vlerën edhe më shumë", tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Zotaj paralajmëroi se protestuesit do të reagojnë nëse ndaj tyre ushtrohet dhunë.

"Nëse provokohet dhunë ndaj tyre, besoni që, pa dëshirën tonë, do t'u kthehemi në të njëjtën monedhë, ashtu si i jemi kthyer me revoltë tradhtive që ka bërë qeveria këto 13 vite dhe të tjerët para tyre", deklaroi ai.

ish-luftëtari i uÇk-së meçan zotaj proteste dita 51

Lini një Përgjigje