TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Korrik 2026, 16:41

Kërkoi hetim për shpërdorim detyre për punonjësit e '313'-ës, Gjykata e Tiranës rrëzon Metën 

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi hetim për shpërdorim detyre për punonjësit e
Ilir Meta

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kishte ankimuar vendimin e Prokurorisë së Tiranës për të mos nisur hetimet mbi kallëzimin penal të paraqitur prej tij.

Meta i ishte drejtuar gjykatës me kërkesën që të shfuqizohej vendimi i prokurorisë dhe kjo e fundit të detyrohej të regjistronte procedimin penal dhe të vijonte hetimet. Pas shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi, gjykata vendosi të mos e pranojë kërkesën.

Kallëzimi i Metës lidhej me pretendimet e tij për shkelje të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgimin 313. Ai kishte denoncuar punonjës të këtij institucioni, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe për pengimin e së drejtës së tij për të komunikuar, si edhe për mënyrën e trajtimit gjatë paraburgimit.

“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi zhvilloi seancën gjyqësore në Dhomë Këshillimi (pa praninë e palëve), për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kërkuesi Ilir Metaj me objekt: ‘Ankim kundër vendimit të prokurorisë së datës 21.01.2026 “Për mosfillimin e kallëzimit penal numër 272 datë 15.01.2026”’: Vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Ilir Metaj me objekt “Ankim kundër vendimit të prokurorisë së datës 21.01.2026 “Për mosfillimin e kallëzimit penal numër 272 datë 15.01.2026”, si të pabazuar në prova dhe në ligj", njofton gjykata.

Prokuroria kishte vendosur të mos regjistronte procedimin penal, me argumentin se nga verifikimet nuk rezultonin elementë të një vepre penale. Ish-presidenti kundërshtoi këtë vendim në gjykatë, duke këmbëngulur se pretendimet e tij duhej t'i nënshtroheshin një hetimi të plotë.

Me vendimin e sotëm, gjykata la në fuqi qëndrimin e Prokurorisë së Tiranës për mosfillimin e hetimeve.

ilir meta paraburgimi 313

Lini një Përgjigje