TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Korrik 2026, 10:56

Kreu i SPAK kërkon Strategji Kombëtare kundër krimit zgjedhor: Duhet goditur organizatori, jo vetëm shitësi i votës

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i SPAK kërkon Strategji Kombëtare kundër krimit zgjedhor:
Kreu i SPAK, Klodian Braho

Kreu i SPAK, Klodian Braho, po raporton ditën e sotme në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, theksoi se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është një çështje e sundimit të ligjit dhe jo e debatit politik.

Braho bëri të ditur se gjatë periudhës 2021–2026, SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale. Vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë administruar 194 sinjalizime dhe kallëzime, ndërsa 46 procedime penale janë regjistruar, një pjesë e të cilave janë nisur me iniciativë të vetë SPAK.

Sipas tij, strategjia e ndjekur në zgjedhjet e vitit 2025 solli një qasje më proaktive, me koordinim më të madh mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit, duke rritur efektin parandalues ndaj krimit zgjedhor.

"Për periudhën 2021 deri në 2025, SPAK ka trajtuar gjithsej 233 materiale zgjedhore. Nga këto 157 janë regjistruar si procedime penale. Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht kufirit të kompetencës së drejtpërdrejtë të SPAK, volumi i materialeve të administruara në këtë fushë ka qenë i konsiderueshëm.

Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale.

Këto shifra tregojnë dy elemente të rëndësishme.

Së pari, krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit.

Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal.", tha kreu i SPAK.

Braho theksoi se hetimet nuk duhet të fokusohen vetëm te blerësi apo shitësi i votës, por të ndjekin gjurmën e financimit, për të identifikuar organizatorët dhe përfituesit realë të skemave të korrupsionit zgjedhor.

Në përfundim, kreu i SPAK propozoi hartimin e një Strategjie Kombëtare kundër Krimit Zgjedhor, forcimin me ligj të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rishikimin e politikës penale për rastet më të rënda të korrupsionit zgjedhor, duke garantuar një mbrojtje më efektive të votës dhe integritetit të procesit zgjedhor.

kreu i spak pro ndryshimeve

Lini një Përgjigje