Mes thirrjeve "Rama jep dorëheqjen", "Ju erdhi fundi" dhe "Shqipëria në re", dy nga fjalimet që tërhoqën më shumë vëmendjen në ditën e 17-të të protestës para Kryeministrisë ishin ato të një vajze të re të diplomuar në Itali dhe një nxënësi 13-vjeçar nga Tirana.
Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan, po merr gjithnjë e më shumë formën e një revolte qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Në podium po ngjiten çdo ditë qytetarë që rrëfejnë problemet e tyre dhe arsyet pse kanë zgjedhur të dalin në rrugë.
Një prej tyre ishte një vajzë e re, e diplomuar në Itali, e cila tregoi se prej një viti e gjysmë endet zyrave të shtetit për të njohur diplomën e saj, ndërsa vazhdon të mbetet pa punë.
“Jam diplomuar në Itali, por akoma diploma ime nuk po njësohet. Prej një viti e gjysmë pres dhe askush nuk më jep zgjidhje. Po për personat me aftësi të kufizuar çfarë do të bëhet? A iu sigurohet atyre punë? Nëse gjërat janë kaq mirë në Shqipëri, siç na thoni çdo ditë, pse po largohen njerëzit? Pse është aeroporti plot?”, pyeti ajo nga podiumi, mes duartrokitjeve të protestuesve.
E reja tha se po flet jo vetëm për veten, por për një brez të tërë që sipas saj po përballet me mungesë mundësish dhe me një administratë që nuk u jep përgjigje qytetarëve.
Në fund të fjalës së saj, ajo iu bashkua thirrjeve politike të protestës.
“Rama në burg, Berisha në burg. Shfuqizoni ligjin e investimeve strategjike. Zoti Kryeministër, jep dorëheqjen”, deklaroi ajo.
Por një tjetër moment që emocionoi protestuesit ishte fjalimi i një nxënësi vetëm 13 vjeç, i cili tha se kishte ardhur në protestë sepse beson se Shqipëria nuk mund të mbijetojë pa kujtesën historike dhe pa mbrojtjen e identitetit kombëtar.
“Jam nxënës i shkollës ‘Kosova’. Jam 13 vjeç dhe vij nga një familje që po më rrit me atdhedashuri. Mund të jem i vogël, por nuk jam i verbër ndaj asaj që po ndodh”, tha ai.
I riu tregoi se pasioni i tij është historia dhe se pikërisht historia e ka shtyrë të dalë në protestë.
“Unë jam i apasionuar pas historisë dhe e di që çdo pëllëmbë e këtij vendi është larë me gjak. Asgjë nuk na është falur. Kur kujtesa fshihet, kombet rrezikojnë të asimilohen. Kur rrënjët priten, shqiptarët zhduken. Mos na i prishni rrënjët”, u shpreh ai.
Në një mesazh që u prit me duartrokitje nga turma, 13-vjeçari tha se ka frikë se shqiptarët po humbasin kontrollin mbi vendin e tyre.
“Mund të jem i vogël për të dhënë mendim, por ky është një pushtim që po vjen skutas, nën rrogoz. Nëse vazhdojmë kështu, një ditë do ta shohim veten të huaj në vendin tonë. Shqipëria është e shqiptarëve”, deklaroi ai.
Fjalimet e të resë dhe të nxënësit u kthyen në dy nga momentet më të komentuara të protestës së sotme, duke sjellë në qendër të debatit emigracionin, mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe frikën se vendi po humbet brezin e ardhshëm.
Ndërsa protesta hyn në javën e tretë, podiumi para Kryeministrisë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku qytetarët rrëfejnë historitë e tyre personale, por edhe pakënaqësitë ndaj mënyrës se si po qeveriset vendi.
Lini një Përgjigje