Publikimi i një pjese të podcast-it të Dua Lipës me filozofen Lea Ypi ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku mijëra ndjekës nga Shqipëria dhe vende të tjera kanë shprehur vlerësim dhe mbështetje për artisten me famë botërore.
Në komentet e publikuara në platformat sociale, shumë qytetarë e falënderojnë Dua Lipën për qëndrimin e saj në mbështetje të zërit të qytetarëve shqiptarë, duke e cilësuar si një figurë me ndikim që mund të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit për çështje me interes publik.
Mesazhe si “Faleminderit, Dua”, “Mbretëresha më në fund foli”, “Bravo, Dua”, “Jam i lumtur si shqiptar që ajo po flet” dhe “Bëhu zëri i shqiptarëve” janë ndër komentet që janë përsëritur më shpesh, ndërsa shumë ndjekës e kanë inkurajuar artisten të vazhdojë të përdorë platformën e saj për të ngritur tema që prekin Shqipërinë.
Komentuesit e kanë vlerësuar Dua Lipën jo vetëm për karrierën e saj artistike, por edhe si një figurë publike me ndikim, duke theksuar se zëri i saj shkon përtej muzikës dhe mund të ketë rol në nxitjen e debatit për çështje të rëndësishme shoqërore.
Një pjesë e ndjekësve kanë kërkuar gjithashtu që artistja të mbajë një qëndrim edhe më të drejtpërdrejtë lidhur me protestat qytetare dhe Ligjin 21/2024, duke mbështetur sloganin “Albania is not for sale” (“Shqipëria nuk është në shitje”).
Në të njëjtën kohë, në shumë komente është përsëritur kërkesa që shembulli i Dua Lipës të ndiqet edhe nga artistë, këngëtarë dhe figura të tjera publike shqiptare. Sipas komentuesve, personalitetet me ndikim kanë mundësinë të sensibilizojnë opinionin publik dhe të kontribuojnë në mbështetjen e kauzave që lidhen me interesin e përbashkët, duke përdorur zërin dhe platformën e tyre për të nxitur ndërgjegjësim dhe debat publik.
Lini një Përgjigje