Pak orë përpara gjysmëfinales së shumëpritur të Kupës së Botës 2026 mes Francës dhe Spanjës, pritshmëritë për fituesin mbeten të balancuara. Franca ka spikatur si një nga ekipet më të rrezikshme në repartin ofensiv gjatë turneut, ndërsa Spanja është dalluar për organizimin e saj dhe sigurinë në fazën mbrojtëse.
Një nga personat që e njeh nga afër trajnerin e Francës, Didier Deschamps, është Fernando Morientes. Ish-sulmuesi spanjoll, i cili ka qenë pjesë e Monacos nën drejtimin e teknikut francez, foli për stilin e tij të punës në emisionin “Especial Mundial” të “Cadena COPE”.
Sipas Morientes, skuadrat e drejtuara nga Deschamps dallohen për intensitetin dhe kërkesat e larta në aspektin fizik.
“Është një trajner që i pëlqen forca fizike. Unë kurrë nuk kisha punuar siç punova me Deschamps”, u shpreh ish-sulmuesi.
Ai theksoi se trajneri francez preferon futbollistë me profil fizik të fuqishëm, të aftë për të dominuar duelet në fushë.
“Atij i pëlqejnë lojtarët e mëdhenj, të fortë fizikisht, që futen në duele dhe imponojnë respekt”, tha Morientes, duke përmendur si shembull mesfushorin Aurélien Tchouaméni.
Duke analizuar gjysmëfinalen ndaj Spanjës, Morientes u shpreh se Deschamps nuk do ta ketë problem të përshtatë strategjinë sipas karakteristikave të kundërshtarit dhe mund të zgjedhë t'ia lërë posedimin e topit skuadrës së Luis de la Fuente.
“Deschamps nuk ka asnjë problem të veprojë sipas realitetit. Dhe realiteti është që Spanja është më e mirë se Franca me topin. Le t’ua japë topin. Atij i përshtatet që Spanja të ketë posedimin”, deklaroi ai.
Sipas ish-futbollistit të Real Madridit, plani i Francës do të fokusohet te shfrytëzimi i hapësirave që mund të lërë mbrojtja spanjolle.
“Loja e tyre do të jetë të vrapojnë në hapësira”, shtoi ai.
Në përfundim, Morientes zbuloi se Deschamps mund të përdorë edhe deklaratat e Lamine Yamal dhe ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për të motivuar futbollistët e tij përpara sfidës.
“Pa dyshim që do ta përdorë. Tashmë po e imagjinoj fjalimin e tij”, përfundoi Morientes.
Lini një Përgjigje