TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Korrik 2026, 21:21

Policia mobilizohet kundër kultivimit të kanabisit, Skënder Hitajt ‘u tërheq veshin” vartësve; zbulohet shkresa

Shkruar nga Pamfleti
Policia mobilizohet kundër kultivimit të kanabisit, Skënder
Foto ilustruese

Prej më shumë se tre dekadash, çdo qeveri në vend premton fundin e kultivimit të kanabisit. Ky fenomen është një histori të cilën Shqipëria nuk po e lënë dot pas dhe kjo që nuk vjen si pasojë e mungesës së ligjit por e zbatimit të tij nga ana e institucioneve që duhet ta luftojnë këtë fenomen.

Kultivuesit dhe trafikantët nga viti në vit bëhen më të zgjuar. Nëse dikur kjo bimë mbillej vetëm në zonat malore, sot ajo mbillet në ambiente të mbyllura thuajse në të gjitha qytetet, mjafton që të sigurosh infrastrukturën e nevojshme dhe mbështetjen e duhur.

Në një shkresë dërguar drejtorive të policive vendase dhe Departamentit për Sigurinë Publike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, i tërheq vëmendjen këtyre strukturave se nuk kanë bërë aq sa duhet për të hetuar kultivimin e kanabisit thuajse në të gjithë vendin.

Policia e Shtetit, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, ka miratuar dhe po zbaton Planin e Veprimit të DPPSH nr. 164, datë 13.01.2026, "Për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2026" dhe aktet e tjera të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë qëllim, i cili ka hyrë në fazën operacionale, me qëllim dokumentimin, goditjen e kësaj veprimtarie dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Duke u nisur nga fakti se, në periudhën Janar-Maj 2026, janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike dhe punë e dobët në veprimet procedurale dhe hetimore, si dhe shkelje të tjera te cilat pasqyrohen qarte si më poshtë; Janë evidentuar; 4 raste të përgatitjes së ambienteve të mbyllura për kultivim me llamba. 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në ambient të mbyllur pa llamba, dhe 12 raste të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me llamba, janë asgjësuar 4353 bimë dhe 1515 fidanë kanabis”, thuhet në shkresë.

Situata bëhet më serioze kur numri një i Policisë së Shtetit sqaron se informacionet policore për dokumetimin e kultivimit të kanabisit janë të pakta, pa rezultat dhe fiktive, me qëllimin e vetëm për të pasur statistika të mira.

Informacione të pakta, pa rezultat, fiktive, thjesht për numër statistikor; 3459 informacione policore gjithsej, nga të cilët; 191 nga RFI-informatorë, 2944 nga burime konfidenciale, dhe 285 nga burime të tjera. Mangësi në marrjen e informacioneve policore, mbi bazën e një analize konkrete të situatës operative aktuale për persona apo grupe kriminale me tendencën e kultivimit të fidanëve në kubikë dhe bimëve narkotike në ambientet e mbyllura "Shtëpi-Bari", apo të shitjes/shpërndarjes së farave të kanabisit për kultivim, informacione të cilat sjellin edhe rezultatet konkrete në këtë drejtim”, thuhet aty.

Drejtori i policisë bën më përgjegjësi edhe disa drejtori të policive vendore të cilat pavarësisht numrit të lartë të efektiveve që kanë në shërbim, nuk kanë rezultate efektive në numrin e procedimeve policore.

Ka disa Drejtori Vendore të Policisë që kanë informacione minimale në raport me numrin e punonjësve të policisë që kanë (Korçë, Gjirokastër, Berat, Durrës, etj.) Numër i vogël i informacioneve nga RFI-informatorët, tregues për mos funksionimin si duhet të rrjetit, me informatorë formalë. Numri i pakët i procedimeve policore dhe pa rezultat; janë çelur 132 procedime policore për person. realizuar 2, 269 dosje për persona me precedentë penal e kriminal, të hetuar, dënuar për kultivim të bimëve narkotike, brenda dhe jashtë vendit. Arkivuar 65”, shprehet Hitaj.

Një nga armët më të forta që ka në dorë policia për të parandaluar këtë fenomen janë përgjimet parandaluese. Por edhe këtë avantazh policia nuk e ka përdorur siç duhet në raport me kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit. Përveçse numri i këtyre përgjimeve është shumë i pakët, por gjatë këtij procesi është evidentuar mungesë profesionalizmi e punonjësve të policisë.

Të administruara janë; 39 kërkesa për përgjime parandaluese, me 39 autorë të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, nuk kanë asnjë kërkesë për përgjim parandalues, DVP-të Korçë dhe Gjirokastër kthyer 18 kërkesa DVP-ve për plotësim ose 50% e tyre, komisariateve të policisë; Lezhë 6 kërkesa, Komisariati nr. 4 -3 kërkesa, Komisariati Krujë-2 kërkesa, Komisariati nr. 7-1 kërkesë, Mat-1 kërkesë, Tropojë-1 kërkesë, Lushnjë-1 kërkesë dhe Durrës-1 kërkesë. Kërkesat për përgjime parandaluese të këtyre strukturave policore janë kthyer për plotësim pasi nuk janë në përputhje me PSP "Për përgjimet parandaluese të komunikimeve elektronike", miratuar me Urdhër të DPPSH nr. 354, datë 24.02.2026, e konkretisht;  procedimet policore për person janë çelur 1-2 muaj para kërkesës, ku afati duhet të jetë jo më pak se 3 muaj nga data e përpilimit të kërkesës;  informacionet e administruara janë të ditëve dhe javëve të fundit nga data e përpilimit të kërkesës, janë të paverifikuar dhe pa të dhëna konkrete për subjektet dhe vendet e dyshuara për kultivim, si dhe ka informacione të viteve të kaluara: kërkesat për përgjime parandaluese nuk përpilohen sipas modelit të përcaktuar në PSP "Për përgjimet parandaluese të komunikimeve elektronike", thuhet në shkresë.

Kjo situatë e krijuar kërkon një strategji tjetër ku kryesorja është bashkëpunimi me prokurorinë dhe më kryesorja është mbajtja në kontroll e personave të cilët janë kthyer në Shqipëri pasi janë dënuar nga drejtësitë e vendeve të Evropës për kultivim të kanabisit. Duket se eksperienca e këtyre personave sidomos në kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura është kthyer në një problem serioz për organizatës e policisë.

Mbi bazën e informacioneve që dispononi, të çelen dosjet e procedimit policor për persona me tendencën e kultivimit të bimëve narkotike dhe të merren masa për përdorimin e metodave speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm. Mbi bazën e të dhënave që dispononi dhe ato të dërguara nga DPPSH, të merren masa për evidentimin dhe mbajtjen në kontroll të personave me precedentë kriminal e penal për kultivimin e bimëve narkotike, përfshirë personat e hetuar, arrestuar, ndaluar dhe dënuar për kultivimi në shtetet evropiane, si; Angli, Belgjikë, Holandë, Spanjë, etj”, deklaron Hitaj.

Nga analiza e punës që ka bërë policia lidhur me problematikat e mësipërme rezulton se kjo situatë ka ardhur i rezultat i mos përmbushjeve të përgjegjësive dhe detyrave funksionale nga ana e drejtorëve, zëvendës drejtorëve për sigurinë publike dhe shefat e komisariateve.

Drejtorët, Zëvendësdrejtorët për Sigurinë Publike dhe Shefat e komisariateve të policisë në Drejtorive Vendore te Policisë nuk kanë drejtuar/kontrolluar dhe analizuar punën dhe rezultatet e dobëta të strukturave vartëse, si dhe nuk kanë kushtuar rëndësi në; numrin e pa mjaftueshëm të kontrolleve, numrin e pa mjaftueshëm të grupeve të kontrolleve. numrin e pa mjaftueshëm të informacioneve policore. Nuk kanë organizuar takime dhe analiza pune për të analizuar çdo muaj punën e agjencive të tjera të cilat kanë detyrime (Kryetar Njësie Administrative, kryeplak, specialist pyjor, specialist mjedisi, OSHEE, punonjës ujësjellësi, persona për mos kallëzim krimi) dhe tu kërkonin zbatimin e detyrimeve ligjore. mos nxjerrja e përgjegjësive dhe ndëshkimin e personave përgjegjës”, vijon shkresa.

Ndodhur në këto situatë drejtori i policisë Skënder Hita kërkon që çdo fund muaji të raportohet për ecurinë e hetimeve dhe veprimet që kryen në terren, në mënyrë që të goditet ky fenomen përpara se kultivuesit të kenë të mundur ta mbledhin mallin.

Për masat e marra dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë Tërheqje Vëmendje, të dërgohet informacion me shkrim në Departamentin për Sigurinë Publike, brenda datës 30.06.2026, e në vijimësi çdo fund muaji, për ecurinë e hetimeve proaktive, veprimet operative të kryera në zbatim të detyrave të deleguara nga prokurori, respektimi i afateve të procedimit, rezultatet konkrete të arritura dhe problematikat e konstatuara”, vijon shkresa.  /Kronos-MCN

kanabisi

Lini një Përgjigje