Një prej protestuesve që mori fjalën në tubimin para Kryeministrisë ka kërkuar përshkallëzimin e aksionit qytetar, duke deklaruar se protestat nuk mjaftojnë më dhe se ka ardhur koha për kalimin në mosbindje civile.
Duke folur para qytetarëve të mbledhur në ditën e 19-të të protestës kundër qeverisë, ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka pasur mjaftueshëm kohë për të ndryshuar vendin, por sipas tij nuk ka treguar vullnet për ta bërë një gjë të tillë.
“Ka ardhur momenti që t’i japim fund kësaj revolte, të veprojmë me një strategji tjetër. Rama i pati mundësitë në këto 14 vite dhe po të kishte vullnetin e mirë, do ta ndryshonte Shqipërinë. Ai s’do që të ndryshojë Shqipëria”, deklaroi protestuesi.
Sipas tij, lëvizja duhet të hyjë në një fazë të re, pasi largimi i qeverisë nuk mund të arrihet vetëm përmes fjalimeve dhe protestave të zakonshme.
“Të ndryshojmë strategji. Edi Rama nuk largohet me fjalë. Duhet të bllokojmë institucionet. Duhet të kalojmë në mosbindje civile!”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e vazhdueshme në protestë dhe bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj institucioneve.
“Ju falënderoj për këtë sakrificë. Duhet të paralizojmë shtetin”, deklaroi ai nga podiumi i protestës.
Thirrja e tij u prit me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, ku vijojnë protestat që kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe ndryshime politike në vend.
Lini një Përgjigje