Mjeku Ilir Allkja ka marrë fjalën mbrëmjen e sotme në protestën para Kryeministrisë, ku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sistemit shëndetësor dhe kostot që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë.
Duke folur para protestuesve, Allkja deklaroi se shqiptarët vazhdojnë të paguajnë nga xhepi pjesën më të madhe të shpenzimeve shëndetësore, pavarësisht premtimeve të qeverisë për shëndetësi falas.
“Ne kemi si shprehje: të kemi shëndetin. Por sa para shkojnë për shëndetin e njerëzve? Shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre 60% të të ardhurave të shpenzimeve për shëndetësi. Shqiptarët paguajnë më shumë se të tjerët në rajon”, u shpreh ai.
Mjeku akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimin për shëndetësi falas, duke e cilësuar situatën aktuale një dështim që po rëndon mbi qytetarët, veçanërisht shtresat më të varfra.
“Rama duhet të japë dorëheqje. Premtimi për shëndetësi falas u kthye në makth për shqiptarët”, deklaroi Allkja mes duartrokitjeve të protestuesve.
Ai theksoi se barra financiare për trajtimin shëndetësor vazhdon të rëndojë mbi familjet shqiptare, duke argumentuar se qytetarët paguajnë më shumë se vendet e tjera të rajonit.
“Sot shqiptarët e varfër paguajnë më shumë se popujt e rajonit dhe botës direkt nga xhepi për shëndetin. Ndaj kjo është një nga kauzat për të cilat Rama duhet të kishte ikur me kohë”, tha Allkja.
Deklaratat e tij u bënë gjatë protestës së ditës së 19-të kundër qeverisë, ku qytetarët vijuan thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
Lini një Përgjigje