Maturantët në të gjithë vendin do t’u rikthehen sot qendrave të testimit për të zhvilluar provimin e lëndëve me zgjedhje, i cili shënon edhe përfundimin e procesit të Maturës Shtetërore 2026. Rezultatet e këtij testi do të kenë rol të rëndësishëm në aplikimet dhe pranimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë.
Procesi i provimeve nisi më 2 qershor me testin e Gjuhës së Huaj, vijoi më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ndërsa më 16 qershor maturantët zhvilluan provimin e Matematikës.
Matura Shtetërore këtë vit po organizohet në 144 qendra provimesh në të gjithë territorin e vendit. Në administrimin e saj janë angazhuar më shumë se 2000 mësues administratorë, si edhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit.
Në prag të provimit përmbyllës, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë apel maturantëve që të zbatojnë me rigorozitet rregulloren, duke rikujtuar se përdorimi i telefonave celularë dhe i çdo pajisjeje tjetër inteligjente brenda ambienteve të testimit është i ndaluar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kumbaro shprehu shqetësimin për rastet e maturantëve të përjashtuar nga provimet për shkak të shkeljeve të rregullores.
“Keqardhje për 29 maturantë që janë përjashtuar gjatë tre provimeve të para për shkelje të rregullores, duke humbur mundësinë për të vijuar provimet e Maturës Shtetërore dhe duke vënë në rrezik regjistrimin në universitet për këtë vit akademik, por respektimi i rregullave është tepër i rëndësishëm dhe i panegociueshëm”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja nënvizoi se respektimi i rregullave, ruajtja e qetësisë dhe përqendrimi maksimal gjatë testimit janë elementë thelbësorë për arritjen e rezultateve sa më të mira.
Lini një Përgjigje