TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia13 Qershor 2026, 10:08

Dosja e SPAK/ Si u përdor FLUX FUSION e trafikantit Juri (Armando) Spore për pastrimin e parave të kokainës

Shkruar nga Pamfleti
Dosja e SPAK/ Si u përdor FLUX FUSION e trafikantit Juri (Armando) Spore
Juri (Armando) Spore /

Dosja e SPAK-ut zbulon se FLUX FUSION shpk, e krijuar nga trafikanti i kokainës Juri (Armando) Spore dhe vëllezërit e tij, u përdor si mekanizëm për pastrimin e parave nën mbulesën e tregtisë së makinave elektrike...

Më 14 dhjetor 2017, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqueve i kërkoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndalimin e shtetasit Juri Spore, i biri i Hektor dhe Fiqrete, i njohur edhe si Armando Spore. Në dosjen e SPAK-ut, një shënim i thatë konfirmon se Drejtoria e Narkotikëve "kërkon ndalimin e këtij shtetasi". Por Juri Spore nuk u ndalua. Nga gjykata shqiptare, ai u la i lirë. Pas lirimit, filloi të ndërtonte në Tiranë një rrjet kompanish.

Para disa muajsh, "Pamfleti" paralajmëroi për këtë strukturë. Tani dosja e plotë e Prokurorisë së Posaçme, e siguruar nga "Pamfleti", zbulon se si tre vëllezërit Spore, së bashku me një rrjet bashkëpunëtorësh, krijuan një mekanizëm të pastrimit të parave të kokainës nën maskën e kompanive të makinave elektrike dhe shërbimit të taksive.

Tre vëllezërit dhe skema e fshehjes së pronësisë

Dosja e SPAK-ut përmban të dhënat e plota të tre vëllezërve Spore.

Aleksandër Sporeja lindi më 30 dhjetor 1967 në Tiranë dhe banon në rrugën Dritan Hoxha. Ferdinand Sporeja lindi më 21 korrik 1971 dhe banon në rrugën Tish Daija. Juri Spore, i njohur edhe si Armando Spore, lindi më 16 janar 1981 dhe banon në rrugën Hamdi Garunja në Farkë, Tiranë.

Citate nga dosja: "Juri Spore alias Armando Spore, i biri i Hektor dhe i Fiqrete, lindur më 16.01.1981, banues në rrugën Hamdi Garunja, nd. 21, H1, Ap. 9, Farkë, Tiranë. Nga këqyrja e sistemit TIMS, evidentohet fakti se Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqueve me shkresën ekstra (18124) dt.14.12.2017, në funksion të procedimit penal nr.318 të vitit 2017 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kërkon ndalimin e këtij shtetasi."

Sot, Juri Spore figuron si administrator dhe aksioner në të paktën pesë kompani. Dosja e SPAK-ut i liston të gjitha.

Citate nga dosja: "Nga këqyrja si tatimpagues i lidhur, rezulton se shtetasit Aleksandër Sporeja, Ferdinand Sporeja dhe Juri Spore janë aksionerë/administratorë në shoqëritë si më poshtë: Ferdinand Sporeja – FLUX FUSION (Administrator, 10.09.2015); Ferdinand Sporeja – FLUX SERVICE (Individ i kompanisë, 22.08.2025); Juri Spore – AUTO FUSION (Administrator/Aksioner, 15.03.2016); Juri Spore – BALKAN ELECTRIC CARS (Administrator/Aksioner, 21.11.2025); Juri Spore – FLUX SERVICE (Administrator/Aksioner, 22.08.2025); Aleksandër Sporeja – AUTO FUSION PLUS (Individ i kompanisë, 03.07.2024); Aleksandër Sporeja – FLUX SERVICE (Individ i kompanisë, 22.08.2025)."

Në pamje të parë, kompanitë janë në pronësi të tre vëllezërve Spore. Por SPAK zbuloi se pas tyre qëndrojnë persona të tjerë.

Komunikimet e përgjuara që zbuluan pronarët e vërtetë

Dosja e SPAK-ut përmban transkriptime të plota të komunikimeve telefonike të personave nën hetim. Këto biseda tregojnë se pronarët e vërtetë të kompanive nuk janë vëllezërit Spore, por Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti.

Citate nga dosja: "Në datën 15.08.2024, rreth orës 13:19, Adrian Rama (355692073888) komunikon me numrin e telefonit 355699495555, i cili dyshohet se është në përdorim nga Aleksandër Sporeja. Nga komunikimi, dyshohet se Adrian Rama ka hapur një shoqëri me objekt veprimtarie shërbimet e transportit (taksi) pasi i thotë bashkëkomunikuesit 'T’ka marr n’telefon ai numri që t’kam dhon un, ai që the ti, do ta bëj drejtor. .... ka gjet dhe 4-5 shofera tjer, kshu nga 50 vjeç, t’mir, po do me fol me ty. Licencen e mora thuji, targat po dalin, makinat e tjera po vijn, që kshu, hajde t’honen thuji, t’flasim si qysh tek, ca esht.'"

Kjo bisedë tregon se Adrian Rama ishte organizatori i krijimit të kompanisë së taksive. Licenca ishte marrë, targat po dilnin, makinat po vinin. Aleksandër Sporeja ishte vetëm emri në letra.

Në një komunikim tjetër, Adrian Rama e quan veten hapur "ortak" i Armandos.

Citate nga dosja: "Në datën 06.12.2024 Adriani me numër 0692073888 komunikon me numrin 0686006641 ku në komunikim me të Adriani i shprehet se është ortaku i Armandos tek taksit aty. Biseda si vijon: B- Alo? A- Mirmëngjes, si je? B- Mir, si je? A- Un jam Adi, ortaku Armandos ke taksit aty, që do vish sot do marresh dorzimet."

Citate nga dosja: "Nga këto komunikime provohet ortakëria e Adrianit duke patur pronësi në këtë aktivitet."

Elton Memeti ishte po aq i përfshirë. Dosja dokumenton një bisedë ku ai i dërgon një kontakti numrin e telefonit të Aleksandër Sporejas.

Citate nga dosja: "Në datën 09.10.2024, rreth orës 15:58, Elton Memeti komunikon me numrin e telefonit 355682043221. ... Menjëherë pas telefonatës, Elton Memeti i dërgon mesazh Drini Mëziut numrin e telefonit '+355 69 822 9999' dhe emrin 'Sandri'. Pas verifikimeve, rezulton se numri i telefonit +355 69 822 9999 përdoret nga Aleksandër Sporeja."

Por më shqetësues është një tjetër bisedë e Elton Memetit, ku ai flet për kompjuterat origjinal të makinave dhe përdor shprehjen "vetëm ne".

Citate nga dosja: "Në datën 30.11.2024, ora 14:04, Elton Memeti (355692094858) komunikon me shtetasin Aleksandër Sporeja, ku diskutojnë lidhur me disa kompjutera ose sisteme që mund të verifikojnë gjendjen teknike të mjeteve. Gjatë komunikimit, Elton Memeti shprehet se i ka thënë një shtetasi 'vetëm ne i kemi kompjuterat origjinal, të tjerët janë mashtrues'. Nga analiza e këtij komunikimi, vlerësohet me interes mënyra e komunikimit të personit nën hetim Elton Memeti, i cili ka përdorur shprehjen 'vetëm ne', duke evidentuar arsyeshëm faktin se Elton Memeti e konsideron shoqërinë si pronë të tij."

Erjon Rama, nga ana tjetër, komunikonte vazhdimisht me Aleksandër Sporen për çështje të përditshme të kompanisë.

Citate nga dosja: "Në datën 19.09.2024, ora 19:32, Erjon Rama telefonon shtetasin Aleksandër Sporeja dhe i kërkon një çelës të një makine ID6 dhe shtetasi Aleksandër Sporeja i përgjigjet që është te kutia. Bazuar në këtë bisedë dhe nisur nga fakti se 'Auto Fusion Plus' ka në pronësi mjete të tipit ID4, arsyeshëm lind dyshimi se personi nën hetim Erjon Rama përdor mjetet e shoqërisë 'Auto Fusion Plus'."

Një tjetër bisedë tregon se Erjon Rama kujdesej për portofolin e humbur të një klienteje të taksive. Por ajo që bie në sy është ajo që i interesonte atij.

Citate nga dosja: "Në datën 06.11.2024, ora 22:43, Erjon Rama komunikon me numrin e telefonit 355698229999 (Aleksandër Sporeja) dhe i kërkon të flasë me shoferët lidhur me portofol që i ka humbur një shtetase që ka udhëtuar me taksitë e shoqërisë. Gjatë komunikimit, personi nën hetim Erjon Rama shprehet 'ka karta të huaja dhe na interesojnë vetëm kartat, lekët i rimburson kompania'."

27 makinat taksi, vlera dhe shitja fiktive

Më 3 korrik 2024, Aleksandër Sporeja regjistroi në QKB kompaninë "AUTO FUSION PLUS" sh.p.k., me NIPT M41903013A. Sipas dosjes së SPAK-ut, kapitali i shoqërisë ishte 10,000 lekë dhe Aleksandër Sporeja zotëronte 100% të kuotave. Objekti i veprimtarisë përfshinte shitjen dhe blerjen e automjeteve elektrike, dhënien e automjeteve me qira dhe ofrimin e shërbimit të taksive. Emri tregtar i kompanisë ishte "FLUX TAXI".

Por ajo që e bën të dyshimtë këtë kompani është lista e mjeteve në pronësi të saj. Dosja e SPAK-ut përmban tabelat e plota të automjeteve.

Citate nga dosja: "Kjo shoqëri ka në pronësi mjetet si vijon: VOLKSWAGEN ID.4 (targa AJ070T, vlera 2,851,280 lekë, viti 2024); VOLKSWAGEN ID.4 (AJ071T, 2,851,280 lekë, 2024); VOLKSWAGEN ID.4 (AJ072T, 2,851,280 lekë, 2024); VOLKSWAGEN ID.4 (AJ073T, 2,851,280 lekë, 2024); KIA EV5 (AB376TK, 3,778,340 lekë, 2024)."

Por lista nuk mbaron me kaq. Në faqet e tjera të dosjes, SPAK liston gjithsej 27 automjete në pronësi të kompanisë.

Citate nga dosja: "Në listën e aseteve të luajtshme që ka deklaruar shoqëria, evidentohet fakti se ka deklaruar 27 automjete dhe vlerën respektive të mjetit: VOLKSWAGEN ID.3 (AB016VT, 2,036,580 lekë, 2024); ZEEKR 7x (AB848VL, 4,338,103 lekë, 2025); VOLKSWAGEN ID6 CROZZ PRO (AI510T, 3,512,950 lekë, 2023); AUDI Q4 40 e-tron (AI584T, 3,807,220 lekë, 2024); AION Y PLUS (AJ052T, 2,665,710 lekë, 2024); dhe të tjerë."

Vlera totale e këtyre mjeteve kap shifrën e qindra mijëra eurove. Por financimi i tyre mbetet i paqartë. Dhe ajo që SPAK zbuloi më pas është edhe më shqetësuese.

Citate nga dosja: "Në datën 07.04.2026, me kontratën për shitjen e kuotave të kapitalit, me nr. repertori 1129 dhe nr. koleksioni 377, Aleksandër Sporja i shet 100% të aksioneve të shoqërisë shtetasit Shkëlqim Lagaqi, në vlerën 150.000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë euro. Së bashku me kuotën, Aleksandër Sporeja i shet Shkëlqim Lagaqit dhe asetet, përfshirë 27 mjete taksi."

Çmimi i shitjes së kuotave ishte 150,000 euro. Por vlera e aseteve të shoqërisë, sipas dosjes, ishte 81,988,873 lekë (rreth 800,000 euro). Kjo mospërputhje e madhe në vlerë është një tregues i qartë se shitja ishte fiktive.

Citate nga dosja: "Nisur nga vlera e shitjes së kuotës (150.000 euro) dhe bazuar në vlerën e aseteve të shoqërisë (81,988,873 lekë), arsyeshëm konkudohet mbi faktin se shitja e shoqërisë është fiktive."

Huatë pa interes dhe veprimet noteriale të dyshimta

Dosja e SPAK-ut zbulon gjithashtu një sërë veprimesh noteriale midis Erjon Ramës dhe Juri Spores. Midis 20 nëntorit 2024 dhe 6 janarit 2025, Erjon Rama i dha hua Juri Spores jo më pak se 250,000 euro, pa afat dhe pa interes.

Citate nga dosja: "Me kontratën me nr. rep. 9028 dhe nr. kol. 5932, e datës 20.11.2024, Erjon Besnik Rama, në cilësinë e huadhënësit, i jep hua shtetasit Juri Hektor Spore (huamarrës), 100.000 (njëqind mijë) euro. Si burim të të ardhurave, Erjon Rama deklaron transaksionin e kryer për shitjen e një pasurie të paluajtshme."

"Me kontratën me nr. rep. 9516 dhe nr. kol. 6285, e datës 10.12.2024, Erjon Besnik Rama, në cilësinë e huadhënësit, i jep hua shtetasit Juri Hektor Spore (huamarrës), 100.000 (njëqind mijë) euro. Si burim të të ardhurave, Erjon Rama deklaron se i ka nga kursimet nga të ardhurat familjare."

"Me kontratën me nr. rep. 7 dhe nr. kol. 7, e datës 06.01.2025, Erjon Besnik Rama, në cilësinë e huadhënësit, i jep hua shtetasit Juri Hektor Spore (huamarrës), 50.000 (pesëdhjetë mijë) euro, të cilat Erjon Rama deklaron se i ka kursime familjare."

Citate nga dosja: "Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka të dhëna për kthimin e huasë nga ana e huamarrësit shtetasit Juri Spore te personi nën hetim Erjon Rama."

Pse dikush jep 250,000 euro pa interes dhe pa afat kthimi? SPAK e ka një përgjigje: këto transaksione janë përdorur për të fshehur origjinën e fondeve.

Citate nga dosja: "Ky fakt, i mbështetur edhe nga veprimet e tjera të personave nën hetim, si blerja e kuotave të shoqërisë 'Auto Fusion Plus' dhe më pas shitja e tyre brenda një periudhe më pak se dy muaj, evidenton në mënyrë të arsyeshme se shtetasi Aleksandër Sporeja nuk është pronar real i shoqërisë. Pronësia efektive dhe kontrolli i saj i takojnë shtetasve të tjerë, duke krijuar indicie të forta se këto transaksione financiare dhe veprime juridike janë përdorur për të fshehur origjinën e fondeve dhe për të legjitimuar produkte të veprës penale nga personat nën hetim Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti."

Konkluzioni i SPAK-ut: pastrim i produkteve të veprës penale

Në përfundim të analizës, SPAK ka arritur në një përfundim të qartë. Kompanitë e vëllezërve Spore janë në fakt pronë e Adrian Ramës, Erjon Ramës dhe Elton Memetit. Vëllezërit Spore kanë shërbyer vetëm si emra në letra për të fshehur pronësinë e vërtetë.

Citate nga dosja: "Në përfundim, personat nën hetim Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti, përmes një skeme të koordinuar, kanë fshehur pronësinë reale të shoqërisë Auto Fusion Plus duke e regjistruar atë formalisht në emër të shtetasit Aleksandër Sporeja, i cili është vëllai i shtetasit Juri Spore, që ka dyshime se është lidhje shoqërore e personave nën hetim."

"Ky veprim, i shoqëruar me transaksione të përsëritura dhe veprime noteriale që synojnë të legjitimojnë këtë strukturë formale, krijon indicie të forta se pronësia e deklaruar është fiktive dhe se kontrolli efektiv mbi shoqërinë ushtrohet nga tre personat nën hetim."

"Kjo mënyrë veprimi përputhet me elementët e fshehjes së pronësisë dhe kontrollit, duke u konsideruar si një mekanizëm për të maskuar origjinën e burimeve dhe për të shmangur identifikimin e pronarëve të vërtetë, çka ngre dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në kuptim të nenit 287 të Kodit Penal."

Pse Juri Spore nuk u arrestua në vitin 2017 kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ndalimin e tij?

Kush e lejoi atë të dilte i lirë dhe të krijonte një rrjet të tërë kompanish në Tiranë?

Përse SPAK nuk i ka arrestuar ende Adrian Ramën, Erjon Ramën dhe Elton Memetin, kur komunikimet e përgjuara tregojnë qartë se ata ishin pronarët e vërtetë të kompanive?

Kush e paralajmëroi Aleksandër Sporen të shiste aksionet një ditë para se të vinte sekuestroja?

Dosja nr. 287/1 e vitit 2021 e Prokurorisë së Posaçme është vetëm fillimi. /Pamfleti

 

dosja e spak flux fusion juri (armando) spore

Lini një Përgjigje