Pas shkarkimit të motrës së Felajt, vëmendja kthehet te bashkëshorti i saj, prokurori Bledar Valikaj; i akuzuar për lidhje me klanin e basteve të Lendi Palajt...
Sistemi i drejtësisë vazhdon të bëjë sikur pastron vetveten, por në fakt thellon korrupsionin mes togave të zeza.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 29 korrik të shkarkojë nga detyra prokuroren Eranda Laze, motrën e deputetes socialiste, Ermonela Felaj, për pamundësi në justifikimin e pasurisë, deklarime të dyshimta dhe lidhje me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.
Një vendim i drejtë, por i vonuar. Sepse pas kësaj skeme familjare, në hije qendron bashkëshorti, prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, i cili u katapultua në drejtësi pavarësisht indicieve publike për përfshirje direkte në favorizimin e botës së krimit.
Nga oficer i policisë gjyqësore, Valikaj u emërua prokuror në Prokurorinë e Tiranës, pa kaluar më parë filtrin e Vettingut. Ky veprim i KLP shkaktoi debate në vitin 2019, vit kur burri i deputetes arriti të fuste këmbët në sistemin e drejtësisë.
KLP-ja ja kaloi topin KPK-së, por kjo e fundit nuk nisi asnjë verifikim dhe Bledar Valikaj ja hodhi paq, pasi procesi i Vettingut në Shkallën e Parë ka përfunduar. Por sinjalet janë se Bledar Valikaj nuk është më i kulluar se kunata e tij.
Vetëm pak javë më parë, Valikaj u thirr në SPAK, për të dhënë shpjegime në lidhje me një dosje nën hetim ku është arrestuar ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Në mënyrë domethënëse, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka përmendur publikisht emrin e Valikajt si pjesë e skemës së favorizimeve dhe mbrojtjes së interesave kriminale në sistemin e drejtësisë.
Por kulmi i skandalit erdhi me rastin Lendi Palaj, pronari i rrjetit të basteve “333” dhe “CR7”, i njohur si një nga financuesit dhe ekzekutuesit e krimit të organizuar urban në Tiranë. Palaj, i shpallur në kërkim për një konflikt me armë në zonën e “Ali Demit” më 10 qershor 2025, u vetëdorëzua në polici më 29 qershor, pas më shumë se dy javësh në arrati.

Çfarë ndodhi më pas? Brenda 48 orësh, më 1 korrik, Palaj doli nga qelia si të mos kishte ndodhur asgjë.
Vendimi për masë të lehtësuar u mor pasi dëshmitari kryesor, një punonjës karburanti që e kishte identifikuar Palajn si autor të të shtënave me kallashnikov, ndryshoi dëshminë në mënyrë spektakolare, me një deklaratë të noterizuar, të përgatitur pikërisht një ditë para vetëdorëzimit të Palajt.
Prokurori i çështjes? Përsëri Bledar Valikaj.
Në vend që të thellonte hetimin, të kontrollonte burimin e manipulimit të dëshmisë, ose të verifikonte presionet mbi dëshmitarin, Valikaj ra dakord me avokatin e Palajt për të zbutur masën e sigurisë. Asnjë provë tjetër nuk u paraqit për të përgënjeshtruar versionin e parë të dëshmitarit. As kamera sigurie, as ekspertiza balistike. Vetëm një deklaratë e tërhequr para noterit dhe “përfundimisht” drejtësia shqiptare bindi veten që Lendi Palaj nuk ka shtënë me armë.

Por kush e garanton këtë vendimmarrje? Një prokuror që është vetë nën lupën e SPAK-ut dhe që ruhet nga një mburojë politike: martesa me deputeten e PS-së, Ermonela Felaj, ish-kryetare e Komisionit të Ligjeve, nënkryetare Kuvendi dhe një nga figurat më të afërta me kupolën e Rilindjes.
Sot kemi një fakt: motra e Felajt shkarkohet për pasuri të pajustifikuara dhe kontakte të dyshimta. Por bashkëshorti i saj, i cili liron kriminelë me biznes miliona-eurosh brenda 48 orësh, vijon të jetë në detyrë. Vijon të përfaqësojë akuzën në emër të shtetit shqiptar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje