TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia19 Janar 2025, 13:24

Raporti/ Nga tenderët, te hotelet, faturat fiktive dhe vjedhjet, valë abuzimesh me Festivalin e Këngës!

Shkruar nga Pamfleti
Raporti/ Nga tenderët, te hotelet, faturat fiktive dhe vjedhjet, valë
Festivali i 62-të i RTSH

Alfred Peza për burg, ja si u vodhën miliona lekë me edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës...

Vijojnë të dalin në dritë abuzimet e Alfred Pezës gjatë kohës që ishte drejtor i RTSH. “Pamfleti” një vit më parë ka denoncuar vjedhjen që është bërë me edicionin e 62 të Festivalit të Këngës, teksa kjo tashmë është vërtetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sapo Peza mori detyrën në vitin 2023, një muaj më pas u mbajt Festivali i Këngës, një festival që duket se ka shërbyer për të mbushur xhepat.

KLSH ka publikuar të dhënat e fundit të auditimit, dhe rezulton se ka pafund abuzime. Sipas KLSH, nga auditimit i Rregullores së Festivalit të 62 të Këngës për vitin 2023, si dhe Platformës Regjisoriale dhe Artistike hartuar nga regjisori i festivalit z. Pali Kuke dhe drejtori artistik i festivalit, z. Bojken Lako, hartimi i kërkesave teknike, pjesë e platformës regjisoriale, nuk janë në kompetencat e drejtorit artistik dhe të regjisorit të festivalit.

Nga intervistimi me anëtarët grupit të punës, shqyrtimi dhe vlerësimi i hartimit të kërkesave teknike, u konstatua se përgatitja e skenografisë nuk është kryer nga grupi i punës. Anëtarët e grupit të punës, për çështjet teknike të skenografisë, në kushtet kur nuk janë të hartuar nga ana e tyre, nuk duhet të kishin pranuar dhe miratuar një dokument i cili është hartuar nga persona apo subjekte të cilët nuk kanë marrëdhënie kontraktuale me RTSH. Gjithashtu Rregullorja e Festivalit të 62 të Këngës nuk është hartuar e plotë, pasi ka mangësi në përcaktimin e detyrave konkrete për punonjësit, konkretisht nuk është parashikuar se cilët janë personat përgjegjës të cilët”, thekson KLSH.

Nga auditimi i preventivit financiar të shpenzimeve për zhvillimin e Festivalit të 62 të Këngës, grupi i auditimit konstatoi se nuk ka transparencë se cila ishte rruga e ndjekur nga institucioni për marrjen e ofertave nga Operatori Ekonomik (OE) në treg.

Grupit të auditimit nuk ju vu në dispozicion dokumentacion mbi korrespondencën me OE, por vetëm ofertat e dërguara nga disa prej tyre. Nuk është e qartë se si u informuan OE për të paraqitur oferta pranë RTSH-së. Edhe pse procesi i marrjes së ofertave, analizës së tyre (për shkak të numrit të madh të elementëve përbërës të zërave përkatës), kërkon kohën e nevojshme, ashtu sic e kërkon këtë kohë dhe hartimi i preventivit të projektit artistik, konstatohet se i gjithë ky proces është bërë brenda së njëjtës datë, pra ofertat janë të protokolluara në të njëjtën datë me dërgimin e shkresës për miratimin e preventivit pranë Bordit të Administrimit, datë 06.12.2023. Gjithashtu preventivi final nuk është i detajuar dhe nuk shpjegohet se si u arrit të përcaktohen vlerat përkatëse, mbi zëra e projektit për të cilët mungojnë të dhënat kryesore që përcaktojnë vlerën e tyre”, thekson raporti.  

Sipas KLSH, për akomodimin e të ftuarve të Festivalit, Radio Televizioni Shqiptar ka lidhur marrëveshje me K. H & T me nr. 2299/15 Prot., datë 15.12.2023. Nga auditimi u konstatua që për pjesëmarrës të caktuar kohëzgjatja e qëndrimit në hotel është më e madhe se 4 netë (netë që përkojnë me zhvillimin e festivalit). Skandali është se personat e përfshirë në preventivin e pagesave për akomodimin në hotel, janë punonjës të cilat kanë punuar për skenografinë e festivalit, të punësuar pranë kompanisë D. P. AL (kompania që ka realizuar Skenografinë).

Në kushtet e kontratës të lidhur midis RTSH dhe OE D. P. AL, nuk është përfshirë zëri për akomodimin e punonjësve të kompanisë në hotel dhe për këtë arsye shpenzimet për këtë zë, nuk duhej të ishin kryer nga fondet e RTSH. Vlera e shpenzuar për akomodimin e punonjësve prej 248,044 lekë pa TVSH, përbën dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit. Si rekomandim u la që Titullari i institucionit, të marrë të gjitha masat e duhura ligjore, për kthimin e vlerës prej 248,044 lekë pa TVSH nga OE D. P. AL, si vlerë e përfituar jashtë marrëdhënieve kontraktuale, si dhe të analizojë dhe nxjerrë përgjegjësitë për këtë parregullsi”, thekson raporti.

Nga auditimi u konstatua se në preventivin e projektit për zhvillimin e festivali janë përfshirë mallra si zëra më vete, ndërkohë që janë elementë përbërës të shërbimit, duke krijuar mbivendosje në preventiv. Konkretisht zërat e mëposhtëm: Kavallota, copë 200 me vlerë 213,339 lekë pa TVSH, tuba fi 48, ml100 me vlerë 58,919 lekë pa TVSH, janë materiale përbërës të cilët shërbejnë për realizimin e skenografisë, pra janë pjesë e shërbimit i cili është paguar njëherë nga RTSH dhe në këtë mënyrë, nuk mund të përfshihen si të ndarë në preventivin e projektit artistik si mall më vete. Për sa më sipër vlera prej 272,258 lekë pa TVSH konsiderohet dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Si rekomandim u la që Titullari i institucionit, të marrë të gjitha masat e duhura ligjore për kthimin e vlerës prej 272,258 lekë pa tvsh nga OE D. P. AL, si dhe të analizojë dhe nxjerrë përgjegjësitë për këtë parregullsi.

Sipas kontratës nr. 2800/2 Prot., datë 13.12.2023 të lidhur midis Radio Televizioni Shqiptar dhe “A.S.V.L”sh.p.k. me NIPT L........M, neni 2, pika 1, citohet që janë të integruara së bashku me elementët përbërës ndihmës, që do të thotë që zërat e përfshira në zërin Skenografia në preventivin në lidhje me bazamentet për Ledëall dhe Ledfloor, Plex për Ledfloor (të cilat janë të përfshira në Ledëall display floor dhe Led display), si dhe zëri Led Strip RGB ( i përfshirë në zërin Ndriçim set up salla), në vlerën respektive 1,836,549 lekë dhe 645,263 lekë sipas kontratës të lidhur midis RTSH-së dhe O.E. D. P. AL me nr. 2800/3 Prot., të jenë të preventuar në mënyrë fiktive. Efekti financiar në total në vlerën prej 2,481,812 lekë pa tvsh përbën dëm ekonomik mbi Buxhetin e Shtetit. Si rekomandim u la që Titullari i institucionit, të marrë të gjitha masat e duhura ligjore për kthimin e vlerës prej 2,481,812 lekë pa tvsh nga O.E. D. P. AL si dhe të analizojë dhe nxjerrë përgjegjësitë për këtë parregullsi”, thuhet në raport.

KLSH është ndalur dhe te rritja e fondit, fakt i denoncuar më parë. “Në parashikimin e buxhetit për vitin 2023 për projektin artistik Festivali i Këngës vlera është 47,000,000 lekë, ndërkohë që vlera e miratuar nga Këshilli Drejtues është 60,000,000 lekë. Si argumentim mbi rritjen e fondit prej 13,000,000 lekë, Këshilli Drejtues jep normën e inflacionit. Nga të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë norma e inflacionit, për vitin 2023 mesatarisht është 4.8%, që për vlerën e mësipërme të buxhetit prej 47,000,000 lekë, fondi për realizimin e projektit artistik Festivali i Këngës, duhej të ishte në vlerën 49,256,000 lekë (2,256,000 lekë shtesë inflacioni). Diferenca prej 10,744,000 lekë (13,000,000-2,256,000), e cila është rritje e paargumentuar e vlerës së projektit artistik, konsiderohet si fond i përdorur pa ekonomicitet,  eficencë dhe efektivitet”, thekson raporti.

Në fund KLSH shrpehet se në të gjithë hierarkinë e veprimeve të realizimit të Festivalit të Këngës, nuk ka transparencë të plotë dhe gjurmë dokumentare, si në hartimin e projektit, përcaktimin e burimeve njerëzore (përfshirë jurinë, të ftuarit, stafi artistik dhe administrative, stafi realizues), përcaktimin e kostove dhe tarifave përkatëse, caktimin e operatorëve pjesëmarrës për realizimin e tyre me kostot përkatëse (përfshirë dhe akomodimin). /Pamfleti

Lini një Përgjigje