TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2026, 18:56

Afera me fondet e BE, hapet hetim për kryeministrin çek; në Shqipëri dosja IPARD ‘fle’ prej 5 vitesh në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Afera me fondet e BE, hapet hetim për kryeministrin çek; në
Andrej Babiš

Teksa në Çeki, Maqedoni apo Greqi ka hetime, arrestime dhe dënime, në Shqipëri dosja mbetet e bllokuar...

Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) ka hapur një hetim penal ndaj kryeministrit të Çekisë, Andrej Babiš, për dyshime se janë cenuar interesat financiare të Bashkimit Evropian.

Sipas dokumenteve të publikuara nga media çeke Seznam Zprávy, prokurorja e deleguar evropiane Daniela Bártíková hapi procedurat penale më 24 maj për vepra të dyshuara që prekin fondet e BE-së.

Në një reagim për Euractiv, një zëdhënës i EPPO-së konfirmoi ekzistencën e hetimit. "EPPO mund të konfirmojë se po zhvillon një hetim. Në këtë fazë nuk mund të bëhen publike informacione të tjera, në mënyrë që të mos rrezikohet rezultati i procedurave në zhvillim," deklaroi zëdhënësi.

Hetimi lidhet me kompaninë Agrofert, konglomerati agrokimik i themeluar nga Babiš, për të cilin ekzistojnë dyshime se ka vazhduar të përfitojë miliarda korona çeke në subvencione bujqësore të Bashkimit Evropian, pavarësisht shqetësimeve të kahershme për lidhjet e kryeministrit me kompaninë.

Hapja e procedurave penale nuk do të thotë ngritje akuzash dhe as nuk nënkupton fajësi. Sipas rregullave të EPPO-së, ajo tregon se prokurorët i konsiderojnë dyshimet mjaftueshëm të besueshme për të justifikuar një hetim zyrtar.

Çështja rikthen në vëmendje konfliktin e interesit që e ka shoqëruar Babišin prej vitesh. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm si kryeministër, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se, megjithëse ai e kishte kaluar Agrofert-in në fonde mirëbesimi, vazhdonte të përfitonte dhe të ushtronte ndikim mbi kompaninë, duke krijuar konflikt interesi sipas rregullave të BE-së.

Babiš, i cili e transferoi sërish Agrofert-in në fonde mirëbesimi në shkurt 2026, këmbëngul se nuk e kontrollon më kompaninë dhe se respekton plotësisht legjislacionin çek dhe atë evropian.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka vazhduar t'u kërkojë autoriteteve çeke të justifikojnë bazën ligjore për rifillimin e pagesave të subvencioneve të BE-së për Agrofert dhe nuk ka deklaruar publikisht se çështja e konfliktit të interesit është zgjidhur.

Realiteti shqiptar

Ndërkohë Shqipëria vijon të mbetet “delja e zezë” lidhur me abuzimet e fondeve të BE.

Brukseli prej muajsh kërkon masa të forta dhe përgjegjësi për abuzimet me fondet e IPARD, por si qeveria ashtu edhe drejtësia kanë dështuar në këtë aspekt. Fondet vijojnë të jenë të bllokuara për shkak se Brukseli nuk është ende i bindur se ato do të përdoren drejt nga qeveria "Rama".

Në Maqedoninë e Veriut, një zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë, Jasmina Kostadinova, është dënuar me 10 muaj burg pasi pranoi se kishte marrë para për programin IPARD.

Një skandal i ngjashëm shpërtheu edhe në Greqi. Pas një hetimi nga Prokuroria Evropiane, u zbulua se kishte abuzime me fondet e bujqësisë. Atje u arrestuan mbi 20 persona.

Ndërkohë në Shqipëri dosja IPARD mbahet ende pezull. Në qershor 2021, Komisioni Evropian, përmes Zyrës Anti-Mashtrim (OLAF), i dërgoi një kallëzim penal SPAK-ut dhe një konstatim zyrtar kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar ish-ministren dhe ish-kryetaren e AZHBR, Frida Krifcën, për abuzime masive me fondet IPARD II të destinuara për fermerët shqiptarë. Në vend që të merrte masa, Edi Rama e shpërbleu me post ministror, emërim që shkaktoi reagim të ashpër nga Brukseli. Qeveria shqiptare premtoi verifikime dhe bashkëpunim me OLAF-in, por realisht nuk ndërmori asnjë veprim konkret.

Aktualisht, SPAK thuhet se është drejt mbylljes së dosjes, por nuk ka akoma një akuzë konkrete ndaj Krifcës apo emrave të tjerë të përfshirë. Vetë Krifca dhe disa bashkëpunëtorë të saj janë marrë në pyetje, por kemi gati 5 vite që hetimet janë në fazë paraprake. /Pamfleti

 

andrej babiš spak ipard

Lini një Përgjigje