
Aktivistja Luçiana Kokaj ka marrë fjalën në protestën e 46-të të revoltës qytetare, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë. Ajo deklaroi se lëvizja qytetare ka arritur rezultate konkrete dhe se protestat do të vijojnë deri në largimin e qeverisë.
Në fjalën e saj, Kokaj u shpreh se protestuesit nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivave të tyre.
"Sot është dita e 46-të, janë bërë aq shumë sa kemi harruar dhe numrin, do jetë aq sa do jetë e nevojshme në fitoren e tonë. Deri në dorëheqjen e kësaj qeverie që ka marrë peng Shqipërinë ne nuk do heshtim. Rama në burg Berisha në burg", tha aktivistja.
Kokaj u shpreh gjithashtu se protesta ka mbështetjen e shqiptarëve kudo që ndodhen dhe falenderoi këngëtaren Dua Lipa për qëndrimin e saj, duke e ftuar t'i bashkohet protestës.
"Që ne nuk jemi vetëm e kemi parë çdo ditë. Bijtë e Shqipërisë në çdo cep të botës janë me. Dua të falënderoj një nga bijat tona që është shprehur haptaz pro revolucionit të flamingove, faleminderit Dua Lipa dhe të presim në shesh që të bëhesh pjesë e protestës", deklaroi qytetarja.
Gjatë fjalës së saj, Kokaj pretendoi se protesta ka sjellë rezultate edhe në raport me institucionet evropiane.
"Protesta ka arritur shumë qëllime, Marta Kos u detyrua të vejë detyrim qeverisë pranimin e disa prej kërkesave tona, fitore e madhe për ne. Mos u trembni kur ju thonë jeni pak. Ja jemi dalë dhe çdo ditë do ja dalim më shumë. Anulimi i ligjit do jetë fitorja e parë por lufta mbaron kur këto të shporren", përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje