TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2026, 10:43

Britania ndalon rrjetet sociale për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç

Shkruar nga Pamfleti
Britania ndalon rrjetet sociale për të gjithë fëmijët
Ilustrim

Kryeministri britanik thotë se masa synon mbrojtjen e fëmijëve nga bullizmi, abuzimi dhe ndikimet negative në shëndetin mendor

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, njoftoi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke e cilësuar vendimin si një “ndryshim të vërtetë për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Duke prezantuar planin, Starmer deklaroi se rrjetet sociale i bëjnë fëmijët më të pakënaqur, lehtësojnë bullizmin dhe abuzimin, si dhe mund të kenë ndikim negativ në shëndetin e tyre mendor. Sipas tij, masat e reja do të jenë më të rrepta se ato të miratuara në Australi.

Plani parashikon ndalimin e aksesit në platformat kryesore të rrjeteve sociale për të gjithë përdoruesit nën 16 vjeç. Gjithashtu, do të vendosen kufizime shtesë për shërbime të tjera online që nuk përfshihen drejtpërdrejt në ndalim, si aplikacionet e lojërave, ku do të hiqet mundësia e komunikimit me persona të panjohur.

“Ky nuk është një vendim që e marr lehtë”, tha Starmer, duke pranuar se rrjetet sociale kanë sjellë edhe përfitime për të rinjtë. Megjithatë, ai theksoi se “ndalimi i plotë është zgjedhja e duhur”.

Kryeministri britanik e bëri njoftimin gjatë një konference për shtyp në Downing Street, në prani të aktivistëve që mbështesin ndalimin dhe prindërve që kanë humbur fëmijët e tyre si pasojë e problemeve të lidhura me përdorimin e rrjeteve sociale.

Starmer theksoi se nuk është i gatshëm të bëjë kompromis për çështjet që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve. “Për këtë arsye, ndalimi duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”, deklaroi ai.

Ai pranoi se bëhet fjalë për një çështje të vështirë për t’u legjislacionuar, rregulluar dhe zbatuar në praktikë, por shtoi se qeveria ka shqyrtuar një gamë të gjerë opsionesh, ka dëgjuar opinionet e publikut dhe ka studiuar përvojën e vendeve të tjera, përfshirë Australinë.

Qeveria britanike njoftoi të dielën se nëntë nga dhjetë prindër mbështesin vendosjen e kufirit minimal prej 16 vjeç për aksesin në aplikacione, sipas rezultateve të një konsultimi publik të zhvilluar për mbrojtjen e fëmijëve në internet.

 

britania rrjetet sociale femijet

Lini një Përgjigje