TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Korrik 2026, 18:50

Vapa ekstreme godet Francën, Kulla Eiffel dhe muzetë e Parisit kufizojnë oraret e vizitave

Shkruar nga Pamfleti

Vapa ekstreme godet Francën, Kulla Eiffel dhe muzetë e Parisit

Temperaturat rekord që kanë përfshirë Francën kanë detyruar autoritetet të marrin masa të jashtëzakonshme, duke kufizuar oraret e disa prej atraksioneve më të vizituara në Paris, mes tyre Kullën Eiffel, Muzeun e Luvrit dhe Muzeun Orsay.

Kompania që administron Kullën Eiffel ka njoftuar se monumenti do të mbyllet më herët gjatë ditës së sotme dhe të dielën. Vizitorët nuk do të lejohen pas orës 16:00, ndërsa zakonisht Kulla Eiffel qëndron e hapur deri në orën 00:45.

Edhe Muzeu i Luvrit ka vendosur të shkurtojë orarin, duke njoftuar se do të mbyllet në orën 16:00 deri të hënën. Ndërsa Muzeu Orsay do të mbyllë dyert në orën 17:00 deri të mërkurën.

Administrata e Luvrit ka bërë të ditur se, pavarësisht se disa ambiente të muzeut janë më të mbrojtura nga nxehtësia, ndërtesa nuk është plotësisht e përgatitur për temperaturat ekstreme që po sjellin ndryshimet klimatike. Sipas muzeut, në disa hapësira janë regjistruar temperatura që nuk garantojnë më kushte optimale për vizitorët dhe punonjësit.

Nga ana tjetër, Muzeu Orsay ka shpjeguar se kufizimi i orareve synon të shmangë ekspozimin e vizitorëve ndaj vapës gjatë pritjeve jashtë, të mbrojë stafin dhe të ruajë kushtet e nevojshme për veprat e artit.

Ndërkohë, autoritetet franceze kanë vendosur rreth një të katërtën e territorit të vendit në alarm të kuq për shkak të valës së të nxehtit. Temperaturat e larta kanë rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve, në një periudhë kur Franca po përballet edhe me fluksin e madh të udhëtimeve për pushimet verore.

vape temperatura paris francë

Lini një Përgjigje